Flash News

SPORT

Francë-Marok në çerekfinale, favoritët përballë surprizës së Botërorit

Francë-Marok në çerekfinale, favoritët përballë

Franca dhe Maroku përballen në çerekfinalen e parë të Kupës së Botës, në një sfidë që përtej rivalitetit sportiv mbart edhe një histori të veçantë jashtë fushës. Dy kombëtaret kanë lidhje të forta sociale e kulturore, me shumë lojtarë që ndajnë origjinë të përbashkët, miqësi të vjetra dhe histori të rritjes në të njëjtat lagje.

Në letër, Franca e Didier Deshamp shihet si favorite absolute. “Gjelat” kanë fituar pesë ndeshje në këtë Botëror dhe janë ndër kandidatët kryesorë për të ngritur trofeun. Kampionët e vitit 2018 dhe finalistët e Botërorit të Katarit kanë një skuadër të mbushur me yje, me lojtarë si Kilian Mbape, Osmane Dembele dhe Majkëll Olise, ndërsa në fazën e 1/8-ave kaluan Paraguain pas një sfide të vështirë, ku vendosi një gol nga pika e bardhë i Mbapesë.

Për kapitenin francez, ai ishte goli i shtatë në këtë kompeticion dhe i 19-ti në karrierën e tij në Kupat e Botës, duke konfirmuar edhe një herë rolin e tij si lider i skuadrës.

Megjithatë, përballë do të jetë një Marok që nuk mund të nënvlerësohet. “Luanët e Atlasit” kanë ndryshuar status në futbollin botëror dhe nuk janë më skuadra që trembet përballë emrave të mëdhenj. Ata e treguan këtë në Botërorin e kaluar ndaj Spanjës, ndërsa në këtë edicion kanë eliminuar Holandën dhe kanë kaluar me bindje Kanadanë.

Maroku u paraqit i pathyeshëm në fazën e grupeve, duke grumbulluar 7 pikë dhe duke ndërtuar suksesin mbi një mbrojtje të fortë dhe një organizim të jashtëzakonshëm taktik. Skuadra afrikane dallohet për rezistencën në prapavijë dhe shpejtësinë në kundërsulme, elemente që mund t’i shkaktojnë probleme Francës.

Në repartin ofensiv, Brahim Diaz është një nga lojtarët më kreativë të ekipit, me katër asistime në këtë turne, ndërsa kapiteni Ashraf Hakimi mbetet një nga figurat kryesore të skuadrës. Në dyshim për këtë sfidë është sulmuesi Ismail Saibari, i dëmtuar në ndeshjen ndaj Kanadasë, me vendimin përfundimtar që do të merret vetëm para takimit.

Franca kërkon të vazhdojë rrugën drejt një tjetër trofeu botëror, ndërsa Maroku synon të shkruajë një tjetër kapitull historik. Një duel mes “armiqsh” për 90 minuta, por me një histori që i lidh përtej futbollit.

Të fundit