Flash News

Ditari i Opozitës

Tabaku: 31 amendamentet e opozitës u miratuan, qeveria nuk mund t’i fshehë më problemet

Tabaku: 31 amendamentet e opozitës u miratuan, qeveria nuk mund t’i

Pas miratimit me konsensus të 31 nga 35 amendamenteve të paraqitura nga opozita në rekomandimet përfundimtare të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Tabaku, njëherazi nënkryetare e Komitetit të Stabilizim-Asociimit, e cilësoi votimin e eurodeputetëve si një konfirmim të shqetësimeve të ngritura prej kohësh nga opozita mbi gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit, ekonominë dhe funksionimin e institucioneve në Shqipëri.

Sipas saj, amendamentet e miratuara tregojnë se procesi i integrimit europian është përdorur nga qeveria si mbulesë për miratimin e ligjeve që favorizojnë një pakicë të privilegjuar, në vend që të shërbejë për ndërtimin e standardeve europiane dhe demokratizimin e vendit.

“Integrimi është trajtuar si noter i zullumeve të pushtetit, jo si instrument për demokratizimin e vendit”, shkruan Tabaku.

Reagimi i plotë:

Pas dy ditësh debat në Komitetin e Stabilizim-Asociimit, ku përfaqësuesit e opozitës paraqitën me fakte dhe argumente shqetësimet reale të Shqipërisë dhe shqiptarëve, eurodeputetët miratuan me konsensus 31 nga 35 amendamentet e paraqitura në emër të opozitës në rekomandimet përfundimtare të Komitetit të Përbashkët.

Këto amendamente janë një dëshmi e qartë e gjendjes së vendit.

Ato tregojnë se procesi i integrimit europian është përdorur nga qeveria jo për të ndërtuar standarde europiane, por për të miratuar ligje me porosi, ligje që i shërbejnë një pakice të privilegjuar. Integrimi është trajtuar si noter i zullumeve të pushtetit, jo si instrument për demokratizimin e vendit.

Sistemi i ngritur nga kjo shumicë është mbështetur mbi shkrirjen e partisë me shtetin, përdorimin politik të institucioneve dhe të të dhënave të qytetarëve, si dhe kthimin e administratës publike në makineri elektorale.

Parlamenti është kthyer në noter të interesave të pakicës që sundon. SPAK është vendosur vazhdimisht në shënjestër sa herë hetimet prekin njerëzit e pushtetit. Institucionet përdoren për të mbrojtur politikisht të hetuarit dhe për të penguar drejtësinë.

Dosjet e fundit të SPAK-ut për krimin e organizuar kanë treguar gjithashtu se prona e shqiptarëve është trajtuar si plaçkë e pushtetit, e gatshme për t’u shpërndarë te klientët e qeverisë dhe grupet kriminale. Ndërkohë, pronarët e ligjshëm sorollaten prej vitesh dyerve të administratës, pa marrë as pronën dhe as drejtësinë që u takon.

Edhe prokurimet publike janë kthyer në plaçkë lufte. Ato mikromenaxhohen nga sistemi për të shpërblyer ata që i shërbejnë makinerisë së pushtetit.

Një nga amendamentet më të rëndësishme është kërkesa për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike. Prej më shumë se tre vitesh kemi kërkuar heqjen e këtij ligji, ndërsa së fundmi kemi depozituar sërish në Kuvend propozimin për shfuqizimin e tij.

Ky ligj nuk solli zhvillim. Ai krijoi privilegje, përqendroi pasuritë publike dhe private në duart e një pakice dhe e ktheu shtetin në ndërmjetës të interesave klienteliste.

Miratimi i këtyre amendamenteve është një mesazh i qartë: Europa nuk pranon ligje në letër dhe as integrim fasadë. Ajo kërkon shtet ligjor, konkurrencë, pronë të mbrojtur, drejtësi të pavarur dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve.

Shqipëria nuk ka nevojë për një sistem që punon për pakicën. Ka nevojë për një shtet që punon për shumicën.

Të fundit