Flash News

E-TJERA

Eurodeputeti Waitz: Ligji për zonat e mbrojtura rrezikon rrugën e Shqipërisë drejt BE-së

Eurodeputeti Waitz: Ligji për zonat e mbrojtura rrezikon rrugën e

Eurodeputeti austriak Thomas Waitz ka ngritur shqetësime për qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj ligjit 21/2024, duke paralajmëruar se mosadresimi i kërkesave të Bashkimit Evropian mund të krijojë pengesa për procesin e integrimit.

Në një intervistë për emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, Waitz tha se institucionet europiane kanë bërë të qartë se ndryshimet ligjore që prekin mbrojtjen e natyrës nuk përputhen me standardet e BE-së dhe mund të ndikojnë në përmbushjen e kapitullit 27 të negociatave, që lidhet me mjedisin.

Sipas tij, Komisioni Evropian i ka kërkuar disa herë Tiranës rishikimin e ligjit, por reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë i paqartë.

“Ka pasur ankesa konkrete nga ana e Bashkimit Evropian. E kemi bërë të qartë se ligji 21 i vitit 2024, që ndryshon mbrojtjen e natyrës, nuk është në përputhje me kërkesat për mbylljen e kapitullit 27 për mjedisin. Ky është një hap në drejtim të kundërt me objektivat e negociatave, sepse Bashkimi Evropian ndërtohet mbi standarde dhe ligje të përbashkëta. Komisioni Evropian i ka kërkuar disa herë qeverisë shqiptare ta rishikojë këtë ligj, por përgjigjja e qeverisë ka qenë se “ndoshta e ndryshojmë, ndoshta jo”. Kjo shihet si një përpjekje për të fituar kohë dhe madje si një fyerje.

Mendoj se qeveria ende ka mundësinë të kuptojë se nuk mund të punojë kundër qytetarëve të saj. Rruga pro-evropiane nënkupton respektimin e shtetit të së drejtës dhe procedurave demokratike. Nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian duhet të vendoset një moratorium për ndërtimet në atë zonë derisa gjithçka të sqarohet. Nëse qeveria vazhdon të reagojë si deri tani, kjo mund të kthehet realisht në një pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha Waitz.

Të fundit