Flash News

E-TJERA

"Më tha do mbetesh vetëm", Koçeku thyen heshtjen: Fola me Ramën vetëm 3 ditë pasi vendosa të braktisja PS

"Më tha do mbetesh vetëm", Koçeku thyen heshtjen:

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka folur për herë të parë pas largimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke zbuluar detaje nga biseda që zhvilloi me kryeministrin Edi Rama pas marrjes së vendimit.

Në një intervistë për Euronews Albania, Koçeku tha se vendimin për t'u larguar nga grupi parlamentar e mori në mënyrë të pavarur dhe zgjodhi të mos komunikonte me kryeministrin për tre ditë, në mënyrë që, sipas saj, të mos kishte asnjë ndikim mbi zgjedhjen që kishte bërë.

"Me kryeministrin Rama kam komunikuar tre ditë pasi e kam marrë vendimin. Ky ka qenë një vendim personal, që të mos ketë asnjë hapësirë ndikimi mbi atë që kisha vendosur të bëja dhe të thosha. Vetëm pas tre ditësh iu përgjigja një sërë telefonatash dhe mesazhesh prej tij. Janë biseda private dhe preferoj të qëndroj korrekte", u shpreh ajo.

Koçeku tregoi se gjatë asaj bisede, Rama e kishte paralajmëruar për pasojat politike të largimit nga Partia Socialiste.

"Ai më paralajmëroi se do të mbetem vetëm dhe se nuk do të më besojë askush pas këtij akti, as njerëzit e mi të maleve prej nga vij. Unë ia kam konfirmuar dhe vazhdoj t'ua konfirmoj të gjithë atyre që besojnë te kryeministri se unë nuk do të mbetem vetëm. Jam mësuar të jem e pavarur, është pjesë e karakterit tim dhe nuk tërhiqem. Nuk ka kthim pas në këtë vendim", deklaroi Koçeku.

Deputetja theksoi se zgjedhja për të vijuar mandatin si e pavarur është përfundimtare dhe se nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim.

Të fundit