Flash News

E-TJERA

Plani i Ramës për Asosacionin konsiderohet në Kosovë si 'zgjidhje me shkëmbim territoresh'

Plani i Ramës për Asosacionin konsiderohet në Kosovë si

Kryeministri Edi Rama njoftoi të enjten propozimin që i ka dërguar presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë – një veprim që nuk u prit mirë nga autoritetet e Prishtinës.

Rama po përpiqej të thyente ngërçin e gjatë mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i cili synon të përfaqësojë interesat e serbëve në Kosovë, por që shihet me dyshim nga autoritetet e Prishtinës.

Rama tha para gazetarëve në Tiranë se dokumenti është hartuar disa kohë më parë nga ekspertë amerikanë dhe europianë dhe është krijuar pikërisht në rast se do të vinte kjo situate, shkruan Balkan Insight.

“Ky është një dokument konfidencial që nuk pretendon të jetë një zgjidhje ideale, por ju siguroj se është i standardit më të lartë ndërkombëtar. Ai merr parasysh të gjitha arsyet e themelimit të Asociacionit dhe… adreson të gjitha rekomandimet dhe konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Rama.

“Uroj dhe shpresoj që ky dokument do të shërbejë për ta çuar dialogun Prishtinë-Beograd që synon normalizimin e marrëdhënieve në një nivel tjetër dhe t'i bëjë të dyja palët të flasin për çështje konkrete që kanë të bëjnë me përfundimin e suksesshëm të dialogut”, shtoi ai.

Lëvizja e tij vjen në mes të krizës që shpërtheu në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe dy javë më parë dhe shkaktoi kritika ndaj qeverisë së Prishtinës nga aleatët e saj perëndimorë.

Propozimi i Ramës nuk u pranua me gjithë zemër në Kosovë, ndërsa partia në pushtet Vetëvendosje u shpreh e kujdesshme.

"Ekziston një thënie e vjetër që thotë ‘rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira’. Kështu që unë nuk e shoh këtë propozim përtej këtij konteksti”, tha për agjencinë Kosovapress, Mimoza Kusari Lila, kryetare e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

“Nuk dimë si ta vlerësojmë sepse nuk e kemi parë këtë draft statut. Siç e ka deklaruar vetë kryeministri Rama, ai nuk është konsultuar me autoritetet e Kosovës”, shtoi ajo.

Duke folur të enjten në një seancë parlamenti, kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk iu referua drejtpërdrejt propozimit të Ramës, por përmendi se në fillim të këtij muaji ai kishte prezantuar vizionin e tij për Asociacionin gjatë një takimi të nivelit të lartë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Kurti tha se nuk ka marrëveshje se kush duhet të hartojë statutin e Asociacionit, por se teksti mund të ndryshohet “kur të jemi dakord në parim”.

Serbia dhe Kosova ranë dakord gjatë bisedimeve në Bruksel në vitin 2013 për të krijuar një shoqatë gjysmë autonome komunale për minoritetin serb, një marrëveshje që më pas u ratifikua nga parlamenti i Kosovës. Por deri më tani ai nuk është krijuar dhe presioni ndaj qeverisë së Kosovës është rritur ndërsa mbështetësit perëndimorë të vendit shtyjnë për përfundimin e tij.

Parimet e para të marrëveshjes u ranë dakord në Bruksel në gusht 2015 dhe përcaktojnë që serbët e Kosovës duhet të kenë "mbikëqyrje" të plotë mbi zhvillimin ekonomik, arsimin, kujdesin shëndetësor, planifikimin urban dhe rural, me kontribute buxhetore që vijnë drejtpërdrejt nga Serbia. Në këmbim, komunat do të pajtoheshin për integrim të plotë në Kosovë.

Por më vonë atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi ligjshmërinë e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit, por tha se shumë nga pikat e marrëveshjes nuk ishin plotësisht në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe duhet të korrigjohen.

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, kritikoi planin e Ramës, duke e krahasuar atë me një ‘zgjidhje’ të mëparshme normalizimi që përfshin një shkëmbim territoresh.

“Kështu që tani, ‘agjentët’ e idesë së shkëmbimit të tokave janë vënë në lëvizje për të punuara për zbatimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Synimi mbetet i njëjtë: ndarja e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj Stublla në Facebook.

Arben Gashi, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK-së, e kundërshtoi gjithashtu propozimin e Ramës.

“Të jemi të qartë dhe të prerë: vetëm qeveria e Kosovës dhe asnjë qeveri e asnjë shteti tjetër nuk është e autorizuar të propozojë statutin e Asociacionit”, tha Gashi.

Të fundit