Flash News

E-TJERA

Dita e 10-të e protestës, qytetarët rikthehen në shesh: “Atdheu nuk shitet”, “Rama dorëhiqu”

Dita e 10-të e protestës, qytetarët rikthehen në shesh:

Protesta qytetare ka hyrë në ditën e saj të dhjetë, ndërsa qindra qytetarë janë mbledhur sërish këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbej”, duke vijuar mobilizimin e nisur prej më shumë se një jave.

Me flamuj kombëtarë në duar dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë, protestuesit kanë përsëritur kërkesat e tyre për anulimin e projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, si dhe për largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

Atmosfera në qendër të Tiranës është karakterizuar nga thirrje për ndryshim politik dhe mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit.

Në pankartat e mbajtura nga qytetarët lexoheshin mesazhe si: “Edi Rama dorëhiqu”, “Atdheu i Shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Atdheu nuk shitet”.

Pjesëmarrësit shprehen se protesta tashmë ka tejkaluar vetëm çështjen e Zvërnecit dhe është kthyer në një reagim më të gjerë qytetar ndaj qeverisjes dhe mënyrës së vendimmarrjes për projekte që, sipas tyre, prekin interesin publik dhe trashëgiminë natyrore të vendit.

Ashtu si në ditët e mëparshme, organizatorët kanë bërë thirrje për protestë paqësore dhe pjesëmarrje sa më të gjerë qytetare. Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit pritet të marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke vijuar presionin ndaj qeverisë për plotësimin e kërkesave të tyre.

Dita e dhjetë e protestës vjen në një moment kur debati mbi projektin e Zvërnecit dhe kundërshtimet ndaj tij kanë marrë jehonë të gjerë në opinionin publik, ndërsa qytetarët deklarojnë se do të vijojnë tubimet deri në tërheqjen e projektit dhe dëgjimin e zërit të tyre.

Të fundit