Flash News

E-TJERA

Mungesa e avokatëve bëhet shkak për shtyrjen e gjyqit ndaj Erion Veliajt

Mungesa e avokatëve bëhet shkak për shtyrjen e gjyqit ndaj Erion

Seanca e dytë gjyqësore për çështjen penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë që po gjykohen me procedurën e zakonshme, u shty sërish të mërkurën 10 qershor për shkak të mungesës së katër avokatëve. Gjatë kryerjes së apelit, kryesuesja e trupit gjykues, Elsa Ulliri konstatoi se mungonin avokatët Maksim Haxhiaj, Aranit Roshi, Dritan Jahaj dhe Ardit Canaj. Sipas gjyqtares, disa prej tyre gjendeshin në një seancë tjetër që po zhvillohej po në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. Gjyqtarja Ulliri solli në vëmendje se kjo situatë ishte e përsëritur dhe kërkoi që avokatët të marrin masa për të qenë të pranishëm në seancat e ardhshme. Palët nuk kanë paraqitur ende kërkesat paraprake në këtë gjykim.

Në fillim të seancës gjykata nuk e pranoi kërkesën e dorëzuar nga disa gazetarë për të transmetuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë të gjithë seancën. Sipas gjykatës, kërkesa e gazetarëve është e përsëritur dhe se ata nuk kanë paraqitur ndonjë element të ri, që do të bënte të nevojshëm transpetimin e drejtëpërdrejtë të seancës.

Ndërkohë, kryesuesja Ulliri bëri me dije se gjykata ka disponuar për t’i vendosur Veliajt në dispozicion 24 fashikuj të dosjes hetimore që nuk i janë dhënë më parë.

Mbrojtësi i Veliajt, avokati Plarent Ndreca e cilësoi të padrejtë që, për shkak të mungesës së avokatëve që shkonin në një tjetër gjyq, t’i pezullohen afatet e paraburgimit të përfaqësuarit prej tij.

Në vijim, ai e cilësoi vendimarrjen e gjykatës për mospranimin e kërkesës së gazetarëve për të transmetuar drejtëpërdrejtë seancën, të lidhur me procesin e rregullt ligjor. Sipas tij, dhënia e vendimit pa u marrë qëndrimi i palëve për publicitetin e seancës, ka të bëjë drejtëpërdrejtë me apsketin ligjor të procesit. Ndreca nënvizoi se është marrë vendimi në cënim të procesit, pa u prezantuar ende trupa gjykuese. Po ashtu, ai deklaroi për mediat, pas seancës, se i janë drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me kërkesë që të shpallet i pavlefshëm përcaktimi në një udhëzim, që sipas Ndrecës, po përdoret për të mos lejuar transparencë.

Avokati Ndreca deklaroi se do të kërkojnë nxjerrjen e Veliajt nga kabina e xhamit, që dhe ai të jetë i pranishëm në seancë, e të qëndrojë pranë avokatit të tij. Sipas Ndrecës, është e drejtë kushtetuese e Veliajt që të qëndrojë jashtë kabinës së xhamit dhe se një gjë e tillë është konstatuar dhe prej Komitetit Shqiptar të Helsiknit.

Edhe Veliaj, në deklaratën e paraqitur në gjykatë për mospraninë e tij që u lexua prej kryesueses së trupit gjykues, kishte evidentuar si shkak faktin se nuk lejohet të qëndrojë jashtë kabinës së xhamit.

Në përfundim të seancës, Ndreca i kërkoi gjykatës që t’u jepet mundësia edhe për t’u njohur me provat digjitale.

Ashtu si vlerësoi dhe prokurori i çështjes, Ols Dado, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për shkak të mungesës së avokatëve dhe njoftoi se seanca e ardhshme do të zhvillohet më datë 16 qershor, në orën 10:00.

Seanca paraprake e çështjes së Veliajt u shty për disa muaj, ndërkohë që pati edhe disa shtyrje të gjykimit në themel, para se të vendosej ndarja e dosjes me të pandehurit që vijojnë me gjykim të shkurtuar dhe të tjerët me gjykim të zakonshëm. SPAK ka ngritur atëherë shqetësim për shtyrjet, duke i cilësuar si strategji për zvarritjen e procesit.

Në dosjen e ndarë nga ajo e kryebashkiakut Veliaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, Prokuroria e Posaçme paraqiti konkluzionet përfundimtare një javë më parë, kur kërkoi dënime me gjobë ose pezullime dënimi me burg, me përjashtim të biznesmenit Elman Abule. Për ish-deputeten socialiste, Klotilda Bushka, e akuzuar se së bashku me bashkëshortët Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, ndërmorrën një fushatë të koordinuar për të intimiduar dëshmitarët dhe hetuesit, u kërkua dënimi me 600 mijë lekë gjobë dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare me 400 mijë lekë gjobë.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Të fundit