Flash News

E-TJERA

Botërori 2026 nis me rregulla të reja, VAR merr më shumë kompetenca

Botërori 2026 nis me rregulla të reja, VAR merr më shumë

Botërori 2026 do të startojë këtë të enjte me ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut në stadiumin legjendar “Azteca”. Turneu i këtij viti do të hyjë në histori jo vetëm si edicioni i parë me 48 skuadra pjesëmarrëse, por edhe për ndryshimet e rëndësishme në rregullore që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e ndeshjeve.

Një nga risitë kryesore lidhet me zgjerimin e rolit të sistemit VAR. Përveç rasteve të golave, penalltive dhe kartonëve të kuq direkt, arbitrat e videos do të kenë mundësinë të ndërhyjnë edhe në situata të tjera të qarta, si akordimi i gabuar i goditjeve nga këndi, identifikimi i gabuar i lojtarëve për kartonë apo vendime të tjera që mund të ndikojnë në rezultatin e ndeshjes.

Ndryshime janë bërë edhe në luftën kundër humbjes së kohës. Futbollistët e zëvendësuar do të kenë vetëm 10 sekonda për të lënë fushën e lojës. Nëse kjo nuk ndodh, lojtari që pret të futet në lojë do të duhet të presë një minutë shtesë përpara se të aktivizohet.

Po ashtu, arbitrat do të monitorojnë më rreptësisht vonesat në rivëniet anësore dhe ato fundore. Në rastet kur një skuadër tenton të vonojë rifillimin e lojës, arbitri do të nisë një numërim mbrapsht dhe mosrespektimi i afatit mund të sjellë humbjen e posedimit të topit.

Një tjetër masë synon të reduktojë simulimet dhe ndërprerjet taktike. Futbollistët që marrin trajtim mjekësor gjatë ndeshjes do të duhet të qëndrojnë jashtë fushës për të paktën një minutë, me përjashtim të rasteve serioze që përfshijnë portierët.

Për shkak të temperaturave të larta që priten në Shtetet e Bashkuara, FIFA ka vendosur gjithashtu pushime të detyrueshme për hidratim gjatë secilës pjesë loje.

Rregullat disiplinore janë ashpërsuar gjithashtu. Futbollistët nuk do të lejohen të mbulojnë gojën gjatë bisedave me kundërshtarët, shokët e skuadrës apo arbitrat, një masë që synon të rrisë transparencën dhe të shmangë konfliktet në fushë. Në raste sjelljesh provokuese ose protestash të pajustifikuara, arbitrat do të kenë mundësinë të ndëshkojnë lojtarët edhe me karton të kuq.

Të fundit