Flash News

E-TJERA

Anketa: Historia dhe nacionalizmi mbajnë peng integrimin ekonomik të rajonit

Anketa: Historia dhe nacionalizmi mbajnë peng integrimin ekonomik të

Mungesa e besimit e trashëguar nga historia dhe politikat nacionaliste mbeten dy pengesat kryesore që mbajnë peng bashkëpunimin rajonal midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor.

Anketa e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal me qytetarët e 6 vendeve të Rajonit në 2025 dëshmoi se ngarkesat psikologjike dhe politike e së shkuarës ndikojnë më shumë se barrierat teknike apo infrastrukturore, duke krijuar një ngërç të vazhdueshëm në proceset integruese te Rajonit.

Qytetarët ndajnë mendime pothuajse të njëjta mbi faktin se pa një përmirësim të klimës së besimit të ndërsjellë, por nismat e përbashkëta ekonomike do të hasin gjithmonë vështirësi në zbatim.

Rezultatet e anketës evidentuan se 38 % e qytetarëve në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor mendojnë se konfliktet historike pengojnë bashkëpunimin rajonal. Ky tregues ndiqet nga politikat nacionaliste, pasi 37%  e qytetarëve të Rajonit mendojnë se retorika politike ditore shpesh minon përpjekjet për afrim.

Paragjykimet e ndërsjellta shihen si problem real nga 26%  e qytetareve të rajonit, çka po ndikon në mbajtjen e distancave mes shteteve.

Ndarjet etnike dhe ndikimet e jashtme globale shqetësojnë secila me nga 18% të qytetarëve në Rajon, duke reflektuar frikën nga ndërhyrjet gjeopolitike. Domethënës mbetet fakti se çështjet logjistike si lidhshmëria e dobët dhe infrastruktura fizike vlerësohen si pengesë nga vetëm 14% e të anketuarve, teksa dallimet fetare shihen si pengesë nga vetëm 13% e qytetarëve. Kjo tregon se problemi i rajonit nuk është aq shumë te mungesa e rrugëve apo e investimeve kapitale, sesa mungesa e vullnetit politik dhe besimit reciprok.

Në nivel kombëtar, Shqipëria dhe Kosova shfaqin ndjeshmërinë më të lartë në të gjithë rajonin sa i përket trashëgimisë historike dhe pasojave të saj afatgjata. Për qytetarët e Kosovës, mungesa e besimit për shkak të historisë përbën shqetësimin më të madh me plot 51%, që përbën edhe shifrën më të lartë në Rajon. Kjo përqindje kaq e lartë reflekton historinë e afërt të konfliktit dhe tensionet e pazgjidhura politike që ende dominojnë marrëdhëniet e saj të jashtme.

Ndërkaq, në Shqipëri ky tregues është 43%, duke treguar se edhe këtu memoria historike shihet si një barrierë kryesore për të ecur përpara. Nga ana tjetër, politikat nacionaliste konsiderohen si kërcënimi kryesor për proceset integruese në Bosnjë dhe Hercegovinë me 44%, në Maqedoninë e Veriut me 40%, dhe në Malin e Zi me 39%. Këto vende, të cilat karakterizohen nga një përbërje multi-etnike ose nga debate të forta identitare, e shohin nacionalizmin e brendshëm dhe të fqinjëve si rrezikun më të madh për stabilitetin rajonal.

Serbia shfaq një dinamikë krejtësisht ndryshe nga fqinjët e saj në Ballkanin Perëndimor, duke përmbysur renditjen e shqetësimeve. Në këtë ekonomi, ndikimet e jashtme globale udhëheqin listën e faktorëve pengues me 22%, gjë që tregon një fokus më të madh tek gjeopolitika sesa tek problemet e brendshme rajonale. Ky faktor ndiqet shumë ngushtë nga dallimet fetare, të cilat arrijnë në 21%, ndërsa pesha e politikave nacionaliste atje zbret në vetëm 29%.

Ky nivel është më i ulëti në të gjithë rajonin për këtë kategori, çka sugjeron se qytetarët në Serbi nuk e shohin nacionalizmin si pengesën kryesore për bashkëpunim tregtar. Kjo qasje e veçantë e pozicionon Serbinë si një vend ku perceptimi i rreziqeve lidhet më shumë me faktorë të jashtëm ose kulturorë sesa me retorikën politike rajonale, duke krijuar kështu një asimetri në mënyrën se si palët e shohin burimin e fërkimeve në Ballkan.

Ndarjet etnike peshojnë më rëndë në Maqedoninë e Veriut, ku plot 32% e të anketuarve i shohin ato si një pengesë serioze për bashkëpunimin, duke reflektuar dinamikat e brendshme të vendit. Kjo shifër është në kontrast të fortë me Bosnjë dhe Hercegovinën, ku vetëm 10% e qytetarëve e kanë përzgjedhur këtë opsion, përkundër faktit që vendi njihet për ndarjet e tij të thella administrative.

Ndërkaq, dallimet fetare perceptohen si pengesë kryesisht në Serbi 21% dhe në Bosnjë 20%, ndërsa regjistrojnë vlera krejtësisht minimale dhe të papërfillshme në Kosovë 3% dhe në Shqipëri 4%, ku bashkëjetesa fetare tradicionalisht nuk shihet si problem.

Sa i përket deficitit në infrastrukturën fizike dhe lidhshmërinë e dobët, shqetësimi mbetet pothuajse uniform në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke lëvizur në nivele të ngjashme mes 14% dhe 16%, me përjashtim të Serbisë ku ky tregues ulet në 11%.

Referuar rezultateve të anketës ku gjysma e popullsisë në shtete kyçe e sheh historinë si kërcënim, reformat ekonomike për rritjen e bashkëpunimit Rajonal do të mbeten të vështira. Integrimi i suksesshëm kërkon jo vetëm investime në rrugë dhe korridore, por mbi të gjitha projekte të përbashkëta që rrisin besimin dhe ulin ndikimin e retorikave nacionaliste./ Monitor

Të fundit