Flash News

E-TJERA

Ministria e Brendshme përjashton Komitetin e Helsinkit nga Komisioni i Azilit: Nuk iu përgjigj propozimit

Ministria e Brendshme përjashton Komitetin e Helsinkit nga Komisioni i

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka njoftuar publikun përmes një letre, se është përjashtuar nga Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët, pa dijeninë e tyre, raporton BIRN.

Në letrën e KShH, nënvizohet se heqja e përfaqësimit nga Minsitria e Brendshme është bërë 6 muaj më parë, por nuk iu është adresuar asnjë informacion ose njoftim për vendimin.

“Me shqetësim, referuar pikës 2 të këtij vendimi, vërejmë se KShH nuk është më anëtar i Komisionit, i cili tashmë përbëhet vetëm nga përfaqësues të katër Ministrive si pjesë e Këshillit të Ministrave, dhe një përfaqësues nga Shërbimi Informativ i Shtetit. Shprehim me anë të kësaj letre të hapur, keqardhjen tonë lidhur me këtë ndryshim, i cili përbën një regres në drejtim të standarteve të mëparshme të transparencës, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, për përfaqësimin e sektorit të shoqërisë civile në përbërjen e këtij Komisioni,” shkruhet në letër.

Komisioni i Azilit është një institucion që vendos se cili nga refugjatët e huaj që kanë bërë kërkesë për mbrojtje në Shqipëri meriton apo jo t’i jepet azil. Institucioni shqyrton rastet e shtetasve të huaj, të cilët kërkojnë mbrojtje në Shqipëri për shkak se mund të jenë viktima të persekutimit në vendin e tyre për arsye të bindjeve politike, besimit fetar, përkatësisë etnike e të tjera

Vendimi për përjashtimin vjen në një kohë kur Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit po përballen me akuza në rritje për dhunim të të drejtave të njeriut. Vetë komisioni i azilit është institucioni i akuzuar se lejoi ekstradimin e paligjshëm të shtetasit turk Harun Çelik në janar të vitit 2020.

Policia e Shtetit u kritikua në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut se ka mbajtur njerëz të ndaluar pas protestave të dhjetorit të kaluar përtej afateve ligjore të përcaktuara.

Pas publikimit të këtij lajmi, Ministria e Brendshme iu përgjigj kërkesës së BIRN për një koment lidhur me letrën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Ministria në reagimin e saj, thotë se përjashtimi është bërë pasi komiteti nuk i është përgjigjur kërkesës për një koment lidhur me propozimin e anëtarësisë.

“Në kushtet kur me miratimin e ligjit të ri “Për azilin”, numri i anëtarëve të Komisionit Kombëtar për Azilin e Refugjatët nga 7 anëtarë, që ishte me ligjin e shfuqizuar, u reduktua në 5. Në draftin e parë (bashkëlidhur në foto), KSHH propozohej të kishte anëtar, duke hequr anëtarin e MAS. Por KSHH nuk i ktheu komente Ministrisë së Brendshme, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Sportit me shkresë datë 11.10.2021 kërkoi të ishte e përfaqësuar me anëtar në Komision, atëherë në Këshillin e Ministrave është propozuar projektvendimi që u miratua në datë 10.11.2021. Edhe pse me legjislacionin e ri në fuqi, KShHH nuk përfaqësohet me anëtar në Komision, do të ketë gjithmonë ftesë për të shprehur qëndrime nëse ka për çdo rast, pavarësisht se nuk ka të drejtë vote,” deklaroi ministria.

Të fundit