Flash News

Rajoni

Zbatimi i sanksioneve ndaj Rusisë në BP: Shqipëria, Kosova dhe RMV korrekte, Vuçiç dhe Dodik më të tërhequr

Zbatimi i sanksioneve ndaj Rusisë në BP: Shqipëria, Kosova dhe

Pesë paketa sanksionesh janë miratuar në total nga Bashkimi Evropian për të dënuar sulmet dhe krimet e luftës ruse në Ukrainë. Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor u rreshtuan krah bllokut për të dënuar agresionin rus.

Shqipëria, Kosova, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë përkrahur të gjitha sanksionet e miratuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa përfaqësuesi i Lartë i BE Josep Borrel i ka bërë vazhdimisht thirrje vendeve të përkrahin paketën e sanksioneve.

Kosova ka zbatuar gjithashtu shumicën e sanksioneve, tregojnë dokumentet e qeverisë. Serbia ka qenë më e tërhequr edhe për shkak të lidhjeve dhe raporteve të ngushta që Beogradi ka me Moskën. Aleksandër Vuçiç, pavarësisht me synimin për t’u anëtarësuar në BE, ka plotësuar vetëm dy masa të marra ndaj Rusisë: zgjatjen e sanksioneve ndaj ish-presidentit ukrainas Viktor Janukoviç dhe anëtarëve të regjimit të tij në mars, si dhe zgjatjen e sanksioneve ndaj Bjellorusisë në prill.

Mali i Zi e nisi më vonë zbatimin e paketave. Më 8 prill zv.kryeministri asokohe Dritan Abazoviç njoftoi miratimin e masave kufizuese nga qeveria në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë. Masat e miratuara nga qeveria malazeze mbulonin shumicën e tre paketave përfshirë: ndalimin e transaksioneve me Bankën Qendrore Ruse, ndalimin e tregtisë me Donetsk dhe Lugansk, si dhe sanksione ndaj shumë personave dhe subjekteve.

Por, nga fillimi i qershorit Mali i Zi nuk e ka zbatuar ende paketën e katërt dhe të pestë të miratuar nga Bashkimi Evropian.

Bosnja dhe Hercegovina janë në një situatë më të komplikuar, pasi ka dyshime që vendi të mos jetë përafruar fare me sanksionet. Mbetet e paqartë se pse Dodik këmbëngul që “BiH nuk ka marrë një vendim të vetëm për t'u bashkuar me sanksionet ndaj Rusisë” dhe se “Përfaqësuesit e Republika Srpska nuk do ta mbështesin këtë”.

Institucionet e BiH vetëm e kanë njoftuar BE-në për përafrimin e tyre me sanksionet, por pjesa për të siguruar që politikat e tyre kombëtare të përputhen ende mungon. Kjo situatë ka krijuar pasiguri dhe ka hapur hapësirën për aktorë të ndryshëm për të argumentuar nëse Bosnja dhe Hercegovina është rreshtuar me sanksionet apo jo.

Nga ana tjetër, nuk ka hapësirë ​​për dyshime të tilla në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku vendimet e qeverisë për miratimin e vendimeve të Këshillit janë zyrtarizuar.

Ndërsa Kosova ishte vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që filloi zbatimin e sanksioneve, qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë rekordin më të plotë të zbatimit në rajon për momentin.

Në muajt mars, prill dhe maj, Këshilli i Ministrave të Shqipërisë miratoi disa vendime të cilat ndryshuan dokumentet e mëparshme për përafrimin me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Që nga 31 maji, kur u publikua vendimi përfundimtar në faqen e internetit të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, vendi ka zbatuar pothuajse të gjitha vendimet e Këshillit të BE-së. Këto të fundit lidhen me përjashtimet nga sanksionet e dhëna agjencive dhe organizatave që ofrojnë ndihmë humanitare për Ukrainën.

Kosova ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që filloi të miratonte zyrtarisht vendimet e Këshillit të BE-së për masat kufizuese ndaj Rusisë. Tashmë më 25 shkurt, një ditë pas fillimit të agresionit, Qeveria në Prishtinë u mblodh dhe miratoi një vendim për zbatimin formal të vendimeve të BE-së të dy ditëve më parë, në përgjigje të njohjes së Republikës Popullore të Donetskut dhe Luganskut nga Rusia.

Situata është e ngjashme në Maqedoninë e Veriut, e cila në vitin 2021 kishte një shkallë të përafrimit prej 93% me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Ashtu si Shqipëria, Maqedonia e Veriut zbatoi sanksione në mars, prill dhe maj. Aktualisht, qeveria nuk ka pasur ende në axhendën e saj vendimet që Shqipëria ka zbatuar më 31 maj, në lidhje me përjashtimet nga masat kufizuese nga paketa e pestë e sanksioneve.

Të fundit