Flash News

Rajoni

Vizita e anuluar e Lavrov, ministri i Jashtëm rus do të deklaronte mbështetje për nismën “Ballkani i Hapur”

Vizita e anuluar e Lavrov, ministri i Jashtëm rus do të deklaronte

Vizita e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në Serbi është anuluar pasi tre shtete të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, bllokuan hapësirën ajrore të fluturimit.

Në një deklaratë për mediet ruse, Lavrov është shprehur se një ndër arsyet e vizitës së tij në Beograd, do të ishte edhe mbështetja për nismën e nisur nga Shqipëria, Serbia dhe RMV, “Ballkani i Hapur”.

“Ne vlerësojmë qëndrimin e guximshëm të Serbisë dhe personalisht të presidentit Vuçiç, i cili thekson se nuk do të angazhohet në aktivitete antiruse, por Bashkimi Evropian dëshiron që të gjithë kandidatët të marrin përsipër detyrime të karakterit rusofobik. Natyrisht ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e donin këtë, ata nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen për Beogradin, duke përfshirë projektin Ballkani i Hapur. Tani është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan të kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”, tha Lavrov.

Nisma ‘Ballkani i Hapur’ është parë gjithmonë si një lëvizje pro ruse, duke marrë parasysh qëndrimin që presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka mbajtur ndaj Moskës edhe pas luftës ruse në Ukrainë. Megjithatë, kryeministri Edi Rama i ka nënvlerësuar zërat kundër nismës, duke bërë vazhdimisht thirrje për Kosovën, Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Të fundit