Flash News

KRYESORE

Vendimi i vonuar i Ramës për shkarkimin e Çuçit, skandalet që lëkundën pushtetin e ish-ministrit

Vendimi i vonuar i Ramës për shkarkimin e Çuçit,

Kryeministri Edi Rama shkarkoi sot nga detyra e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçin, vendim që erdhi pas ngjarjes së rëndë në Borizanë, ku fisi Rraja dhunoi dy anëtarë të fisit Maja, Bilbil dhe Jashar, për shkak të konfliktit për një gurore.

Por, vendimi i Ramës sot është i vonuar, pasi karrigia e Çuçit është lëkundur prej kohësh me skandalet në radhët e policisë. Një nga fenomenet e Policisë së Shtetit është “vrasja” e të rinjve në ambientet e komisariateve, për të vijuar me efektivë të veshur me uniformë policie që u shndërruan në trafikantë apo edhe vrasës, kanabizimi i vendit, vrasjet e grave që edhe sot kanë marrë përgjigje të cunguara.

Të rinjtë që mbetën viktima të qelive

32-vjeçari Lear Kurti ndërroi jetë pas shoqërimit në Komisariatin nr.4 të Tiranës nga efektivët e policisë. Paraprakisht, policia raportoi se Kurti pas shqetësimeve që shfaqi gjatë shoqërimit, u dërgua në Spitalin e Traumës ku edhe ndërroi jetë.

Ekspertiza mjekoligjore për vdekjen e të riut përcaktoi se shkak ishte mbidoza e kokainës. Kurti u ndoq nga efektivët për disa kilometra deris au arrestua, ku pamjet tregonin se si Kurti qëndronte i shtrirë në tokë.

Vdekja e Enea Ftoit në Korçë 

Më 17 maj 2018, ndërroi jetë në Komisariatin e Korçës Ene Ftoi. 27-vjeçari u ndalua për ‘Vjedhje me dhunë’ dhe qëndroi në paraburgimin e Korçës për tre ditë.  

Ditën e ngjarjes 27-vjeçari do të dilte në gjyq për të marrë masën e sigurisë, por ndërsa familjarët prisnin, u njoftuan për vdekjen e Ftoit. Ata hodhën akuza se 27-vjeçari ishte dhunuar për vdekje nga efektivët, gjë që u mohua nga autoritetet. 

Prokuroria vendosi të pushojë çështjen e vdekjes së Ftoit me argumentin se “Pavarësisht pretendimit të familjarëve të viktimës, mbi Enea Ftoin policia nuk ka ushtruar dhunë.

Vrasja e Klodian Rashës 

Klodian Rasha, 25-vjeçari i cili u qëllua për vdekje nga efektivi Nevaldo Hajdaraj, ishte rasti që zgjoi të rinjtë për të kërkuar drejtësi për vrasjen e Rashës. 

25-vjeçari u vra pak para mesnatës së 8 dhjetorit 2020 pranë banesës së tij në zonën e Laprakës. Efektivi Hajdaraj e ndoqi Rashën derisa e qëlloi për vdekje për shkak se viktima kishte shkelur rregullat e orës policore të Covid-19. 

Sipas dëshmive, efektivët i kanë bërë thirrje Rashës të ndalojë, por ky i fundit ka vrapuar i frikësuar për t’ju shpëtuar. Policia tha fillimisht se Rasha ishte i armatosur, pasi në vendngjarje u gjet një armë, dhe Hajdaraj e kishte qëlluar për vetëmbrojtje. Kjo deklaratë u mohua vetëm disa ditë më parë, kur policia pranoi se kishte gabuar pasi arma nuk i përkiste Rashës.

Vdekja e Ilvi Metës 

Ilvi Meta u gjet i vdekur mbrëmjen e 5 majit të këtij viti në Komisariatin e Kavajës. Policia raportoi se Meta u vetëvar në dhomën e paraburgimit ku po qëndronte pasi u arrestua me vendim gjykate pasi dyshohet se ka vjedhur një apartament në Kavajë më 2 prill. 

Familjarët deklaruan asokohe se në trupin e viktimës kishin gjetur shenja dhune, çka ngrinte dyshime se ishte keqtrajtuar nga policët.  Ndalimi i të riut ishte bërë pasi akuzohej për një vjedhje të ndodhur në datën 2 prill në një banesë në Kavajë, për një makinë qepëse dhe prerëse pllakash. 

Vdekja e Arben Micit  

Arben Mici ndërroi jetë mbrëmjen e 26 marsit në komisariatin nr.5 të Kamzës. 26-vjeçari u asfiksua nga tymi pas përfshirjes nga zjarri të ambienteve të brendshme të komisariatit dhe bashkë me të u dërguan në spital edhe një tjetër i paraburgosur dhe një punonjës policie.  

Mici ishte arrestuar për dhunë të ushtruar ndaj nënës së tij. 26-vjeçari i dha fund jetës duke përdorur çakmakun për t’i vënë flakën dyshekut prej sfungjeri. Nga hetimet rezultoi se efektivët nuk kishin përmbushur rregullat e sigurisë dhe kishin lejuar të arrestuarit të mbanin në dhoma mjete të ndaluara, siç ishte çakmaku. 

Tragjedia e Himarës

Më 2 gusht 2022, Arjan Tase me detyrë efektiv në Policinë e Himarës përplasi për vdekje me skaf vogëlushen 7-vjeçare, Jonada Avdia. Jonada ishte duke luajtur në breg me të atin kur skafi i drejtuar nga Tase i copëtoi barbarisht trupin. Tase , pas ngjarjes, tentoi të largohej.

Ai u shkarkua me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, asokohe Gledis Nano. Pavarësisht thirrjeve të opozitës, qytetarëve dhe familjes Avdia, Rama nuk bëri asnjë hap për të shkarkuar Bledi Çuçin.

Vrasja e tre grave nga Dan Hutra

Mevlute Hysa, Hasime Dafku dhe Etleva Kurti mbetën viktima të plumbave që u shkrepën nga arma e Dan Hutrës. Tre të tjera, Elena Hysa dhe nëna e saj, si edhe Marjana Gurakuqi mbetën të plagosura. Dan Hutra qëlloi për vdekje në mes të ditës gratë, ndërsa u arrestua nga policia falë denoncimit të një qytetari i cili shmangu edhe vrasjen e një personi të katërt. Opozita i bëri thirrje Bledi Çuçit të jepte dorëheqjen, por asnjë hap nga qeveria.

Të fundit