Flash News

KRYESORE

Akset rrugore si emergjencë kombëtare

Akset rrugore si emergjencë kombëtare
Çarjet dhe shembjet në rrugën Librazhd-Pogradec

Reshjet e shiut mjaftuan për të nxjerrë në pah një realitet të hidhur të infrastrukturës shqiptare: rrugë të reja që çahen, akse strategjike që bllokohen dhe investime miliona eurosh që rezultojnë të brishta përballë motit.

Nga aksi Gjirokastër–Tepelenë, ku rrëshqitjet e dheut paralizuan qarkullimin, te Librazhd–Pogradec dhe Qukës–Qafë Plloçë, që sot funksionojnë me bypass-e provizore, panorama është e njëjtë — asfalt i plasaritur, shembje dhe rrezik për qytetarët.

Në të njëjtën kohë, hetimet e SPAK ndaj ish-zyrtarëve të lartë të infrastrukturës për procedura tenderash dhe dyshime për favorizime hedhin hije të forta mbi mënyrën se si janë menaxhuar fondet publike.

Ndërsa qytetarët përballen me rrugë të pakalueshme, pyetja që shtrohet është e thjeshtë: si mund të degradojnë kaq shpejt investime që kanë kushtuar qindra milionë euro?

Ky nuk është më vetëm problem teknik. Është një krizë që lidh cilësinë e punimeve, mungesën e mirëmbajtjes dhe dyshimet për korrupsion — një kombinim që sot po paguhet nga drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonave të prekura.

GJIROKASTËR-TEPELENË

Akset rrugore si emergjencë kombëtare
Shembjet në aksin Gjirokastër-Tepelenë

Reshjet e dendura të shiut shkaktuan rrëshqitje massive të dheut dhe gurëve në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”. Rrëshqitjet e dherave ndodhën në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë” dhe qarkullimi funksionoi me një sens lëvizjeje.

VLLAHINË–POÇEM

Akset rrugore si emergjencë kombëtare
Çarje të thella në asfaltin e rrugës Vllahinë-Poçem

Rruga Vllahinë–Poçem pësoi dëmtime të dukshme në një pjesë të konsiderueshme të gjatësisë së saj. Asfalti i rrugës pësoi çarje të thella të cilat veshtirësuan qarkullimin e mjeteve.  Banorët dhe drejtuesit e mjeteve shprehen të shqetësuar pasi rruga ende nuk ka mbushur dy vite nga ndërtimi i saj. Sipas tyre, dëmtimet ngrenë dyshime mbi cilësinë e punimeve dhe materialeve të përdorura, duke rrezikuar jo vetëm investimin publik, por edhe sigurinë e përdoruesve të rrugës.

QEPARO-KUÇ

Akset rrugore si emergjencë kombëtare
Asfalti i çarë në rrugën Qeparo-Kuç

Një tjetër rrugë e re, e ndërtuar 3 vite më parë, është Qeparo-Kuç, që lidh Vlorën me Himarën. Por, edhe kjo rrugë ka pësuar dëme të konsiderueshme, pasi asfalti është çarë dhe rruga ka cedime në një gjatësi prej 500 metrash. Qarkullimi i mjeteve bëhet me vështirësi.

MALIQ-GRAMSH

Akset rrugore si emergjencë kombëtare
Degradimi i rrugës Maliq-Gramsh

Rruga Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh, e cila prej ditës së shtunë po shërben si aks alternativ për lidhjen e juglindjes me Tiranën, po përballet me dëmtime serioze në trupin e saj. Përjgtaë rrugës janë evidentuar plasaritje të thella në disa segmente, duke krijuar vështirësi të ndjeshme në qarkullim dhe rrezik të shtuar për drejtuesit e mjeteve. Ky aks rrugor i ndërtuar nga “Gjikuria” sh.p.k dhe që ka kushtuar 14 mln euro (rreth 1.4 miliardë lekë), ka shfaqur problematika edhe më herët, por kohët e fundit amortizimi është përkeqësuar ndjeshëm.

LUMI I VLORËS-HIMARA

Akset rrugore si emergjencë kombëtare

Një tjetër aks i rëndësishëm, që lidh Lumin e Vlorës me Himarën, ka pësuar çarje të reja, duke krijuar rrezik për qytetarët që duhet të qarkullojnë në këtë segment. Sipas raportimeve, rruga është ndarë mes për mes në një pjesë të saj, duke bërë të domosdoshëm kujdes të shtuar për drejtuesit e automjeteve dhe banorët që kalojnë aty. Problemet me infrastrukturën rrugore në vend kanë nisur që vitin e kaluar, me dëmtime dhe shembje të pjesëve të aksit kryesor, ndërkohë që qytetarët ankohen se askush nga qeveria nuk ka marrë përgjegjësi për paralizimin e pjesëve të aksit dhe për rrezikun e vazhdueshëm.

QUKËS-QAFË PLLOCË

Akset rrugore si emergjencë kombëtare
Shembjet e masivit shkëmbor në aksin Qukës-Qafë Plloçë

Aksi rrugor Qukës-Qafë Pllocë, i konsideruar ndryshe si “rruga e florinjtë”, u inaugurua me shumë bujë nga qeveria. Balluku dhe Rama inauguruan 5 muaj më parë rrugën, e cila kushtoi 260 milionë euro, por qysh në fillim rezultoi një dështim i propagandës. Vetëm pak javë pas hapjes, aksi u përball me probleme serioze si pasojë e reshjeve të shiut që përfshinë juglindjen e vendit, pasi një masiv shkëmbor bllokoi një nga tre korsitë e vendit.

Akset rrugore si emergjencë kombëtare

Në nëntor, një rrëshqitje masive e dheut dhe shkëmbinjsh bllokuan rrugën në afërsi evidentuar të tuneleve në aksin Qukës-Qafë Plloçë. Një sipërfaqe e madhe mali u shkëput duke bllokuar totalisht aksin, çka detyroi ndërtimin e një bypass-i provizor. Fill pas kësaj, vetëm disa javë më parë aksi rrugor u bllokua sërish nga rënia e një masivi shkëmbor dhe edhe sot kalimi bëhet nga bypass-i provizor, duke nxjerrë “aksin e florinjtë” jashtë funksionit.

AKSI LIBRAZHD-POGRADEC

Akset rrugore si emergjencë kombëtare

Shembjet dhe çarjet e asfaltiit në aksin Librazhd-Pogradec janë krijua prej thuajse 2 javësh, megjithatë autoritetet nuk e morën seriozisht situatën. Sot, aksi që lidh Tiranën me Juglindjen dhe anasjelltas, është i bllokuar totalisht duke paralizuar qarkullimin.

Shembjet janë serioze duke rrezikuar shtyllën e tensionit të lart që është në afërsi të saj, madje edhe urën, për të cilën ARRSH vendosi ta demontojë. Problematikat në këtë aks kanë qenë të shumta, pasi në kohët me shira, ruga bllokohej nga dherat, masivet shkëmbore, çka e bënte të pakalueshme.

Akset rrugore si emergjencë kombëtare
Çarjet dhe shembjet e rrugës në aksin Librazhd-Pogradec

Çarjet e krijuara së fundmi nxorrën në pah pazaret që qeveria bën në kurriz të rrugëve, e mbi të gjitha, të sigurisë së qytetarëve. I vetmi aks që po përdoret vetëm nga mjetet e vogla është rruga Maliq-Gramsh, i cili po ashtu ka dëmtime serioze. Gërmimet e kryera nga fadromat e kompanisë që po ndërtojnë Korridorin 8 në shtratin e Lumit Shkumbin, dyshohet se sollën deformimet, rrëshqitjet dhe çarjet e krijuara në rrugën nacionale.

Prokuroria e Elbasanit nisi një procedim penal për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. Burime nga grupi i inspektimit bëjnë me dije se po kontrollohet dokumentacioni mbi lejen për shfrytëzim, koordinatat e miratuara të ndërhyrjes, si dhe nëse janë respektuar sasitë e lejuara të materialeve të nxjerra.

PAZARET BALLUKU-BERBERI

Hetimet u nisën pas bastisjes së banesës së ish‑drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi, ku u sekuestruan telefona, laptopë dhe dokumente. Nga pajisjet u rikuperuan komunikime private që më pas u përdorën si provë nga SPAK.

Sipas dosjes së SPAK që është publikuar nga mediat, komunikime midis Ballukut dhe Berberit në lidhje me procedurat e tenderit të ndërtimit të tunelit të Llogarës (pjesë e aksit rrugor Orikum–Himarë) janë përdorur si provë. Në disa prej këtyre mesazheve, Balluku i shkruan Berberit: “Po … prit ti çoj fjalën atij që … bërtet me SMS” dhe më vonë: “Nxirre tunelin”, mesazhe që hetimi i klasifikon si komunikime që lidhen me përshpejtimin ose ndikimin në procedurat e tenderit.

Akset rrugore si emergjencë kombëtare

SPAK dyshon se janë krijuar avantazhe të padrejta për kompani të caktuara në procedurat e tenderave, duke ndikuar në anullimin e konkurentëve të tjerë dhe favorizuar fituesit e paracaktuar.

Belinda Balluku po hetohet nga SPAK për “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publike” dhe “ndikim i paligjshëm në prokurime publike”, ndërsa Ervis Berberi është nën hetim “shfrytëzim i pozitës për të favorizuar kompani në tendera” dhe “përfitim të mundshëm financiar ose avantazh për kompani të caktuara”.

SPAK kërkon arrestimin e ish-zëvendëskryeministres dhe ministers së pezulluar nga Gjykata e Posaçme, për të cilën kryeministri pretendon se ka shkelur ligjin.

RRUGËT E FLORINJTA APO AKSET E MASHTRIMIT?

Investimet propagandistike të qeverisë, shpesh të shoqëruara me inaugurime spektakolare, sot nxjerrin në pah një realitet të dhimbshëm: rrugë të shtrenjta që shemben, qytetarë që izolohen, dhe fonde publike që përfundojnë në pazare tenderash.

Ndërkohë që SPAK heton Ballukun dhe Berberin, qytetarët mbeten në një realitet ku qarkullimi është i rrezikshëm dhe rruga e sigurt mbetet luks, jo e garantuar.

Shqipëria paguan jo vetëm për rrugët që nuk funksionojnë, por edhe për një sistem ku korrupsioni duket se ecën paralel me asfaltin./ POLITIKO

Të fundit