Flash News

E-TJERA

Zhvatja e pronave në Durrës, si negocioi zyrtari i Avokaturës së Shtetit me ‘Rrumin’ për 45 mijë m2

Zhvatja e pronave në Durrës, si negocioi zyrtari i Avokaturës

Prokuroria e Posaçme lëshoi sot një urdhër-arrest për Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si ‘Rrumi i Shijakut’ për korrupsion në tjetërsimin e pronave në Durrës, konkretisht në Gjirin e Lalzit dhe Hamallaj.

Emri i Lahos u përmend nga një investigim i BIRN në 8 nëntor të këtij viti lidhur me tjetërsimin e pronave në bregdetin e Durrësit. Në artikull përmendej emri i Lahos dhe një zyrtari Avokatit të Shtetit të cilët binin dakord për një shumë monetare për blerjen e pronave në Durrës.

Bëhet fjalë për një video të filmuar në 13 qershor të vitit 2017, ku sipas dokumenteve hetimore, biseda në video zhvillohet mes zyrtarit Irgen Kërçuku, asokohe përfaqësues i Avokaturës së Shtetit për degën e Durrësit dhe Pëllumb Muharremit alias Aleksandër Laho ose “Rrumi”.

“Zyrtari” i Avokaturës së Shtetit është i pakënaqur nga oferta prej 5 milion lekësh që i ofron “i interesuari” që në këtë rast është “Rrumi i Shijakut”.

Biseda mes tyre e regjistruar në video kishte si objekt procesin gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë m2 tokë publike në Gjirin e Lalzit. Videoja ra në duart e Prokurorisë së Posaçme pas atentatit të bujshëm ndaj Muharremit dhe prokurorit Arian Ndoja, pasditen e 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës.

Dokumentet hetimore tregojnë se sekuestrimi i telefonit të Humarremit do të hapte “Kutinë e Pandorës” për një nga shumë episode që lidhen me tjetërsimin e pronave në bregdetin e Adriatikut.

Bazuar në hetimet, dyshohet se Muharremi qëndron pas tjetërsimit të 14 parcelave të tjera në zonën e Gjirit të Lalzit, përmes një skeme mashtrimi dhe korruptimi të zyrtarëve të lartë.

“Hetimi i deritanishëm ka krijuar dyshime se një grup i mirë strukturuar kriminal ka arritur që përmes një skeme kriminale të bëjë të mundur që të sigurojë një zinxhir dokumentesh të falsifikuara me qëllim që të regjistrojë pasuri të paluajtshme në një zonë shumë të preferuar të Shqipërisë, siç është fshati Lalëz, Durrës,” thuhet në dosjen hetimore.

Muharremi u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme në qershor të këtij viti dhe iu bashkua të dyshuarve të tjerë të dosjes me nr: 235 për falsifikimet në Gjirin e Lalzit.

Sipas përshkrimit në transkriptin e videos, përfaqësuesi i interesave të shtetit shkoi në takim për të tërhequr paratë. Në videon e sekuestruar si provë nga Prokuroria e Posaçme, Muharremi shfaqet duke i dhënë 6 milionë lekë Kërçukut, ndërsa ky i fundit e pyet: “pjesa tjetër kur do ta sjellësh”. Muharremi përgjigjet: “kur të marri formë të preme”.

Aleksandër Laho ose Rrumi i Shijakut u shpall në kërkim në tetor të këtij viti pasi dyshohet të jetë përfshirë në pengmarrjen e dy vëllezërve, Gentian dhe Indrit Beqiraj.

Të fundit