Flash News

E-TJERA

Udhëzimi/ Rama u merr kompetencat bashkive, konfiskim deri në ndjekje penale për mospagimin e taksave vendore

Udhëzimi/ Rama u merr kompetencat bashkive, konfiskim deri në ndjekje

Qeveria e kryeministrit Rama duket se ka vendosur në ‘dorë’ autoritetin e bashkive. Përmes një udhëzimi të firmosur nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçic, qeveria merr ‘rolin e përmbaruesit’ për vjeljen e taksave dhe tarifave vendore.

Udhëzimi në fjalë iu tregon bashkive se si duhet të sillen ndaj tatimpaguesve që janë debitorë ose që kanë detyrime të pashlyera, duke cenuar kështu autonominë e qeverisjes vendore.

Për bashkitë, udhëzimi parashikon masa të ashpra duke filluar nga bllokimi i llogarive bankare, barrë hipotekore mbi pasuritë, konfiskim deri edhe burg për të gjithë ata taksapagues që nuk shlyejnë brenda 10 ditëve detyrimet tatimore.

Bashkitë janë të detyruara t’i përmbahen dhe të zbatojnë udhëzimin duke raportuar periodikisht pranë Ministrisë së Financave e cila do të ketë akses edhe në llogaritë bankare.

Por cilat janë afatet e përcaktuara për tatimpaguesit?

Qytetarët do të njoftohen mbi detyrimet që kanë. Udhëzimi përcakton se qytetarët do të kënë vetëm10 ditë kohë për të likuiduar pagesat në të kundërt do të përballen me masat ndëshkuese që shkojnë deri në konfiskim të pasurisë dhe ndjekje penale.

“Me kalimin e 10 ditëve nga data e nisjes me postë, rrugë elektronike të këtij njoftimi ose brenda 3 ditëve nga data e dorëzimit në dorë taksapaguesit të njoftimit, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore ka detyrimin të fillojë zbatimin e procedurës për mbledhjen me masa shtrënguese të detyrimeve tatimore të papaguara”, thuhet në udhëzim.

Zbatimi i masave shtrënguese vjen duke u ashpërsuar hap pas hapi. Udhëzimi përcakton që nëse pagesa nuk kryhet brenda 10 ditëve pas marrjes së njoftimit, tatimpaguesit do t’i konfiskohet 50 për qind e xhiros ditore. Inspektorët po ashtu do të kenë tagrin që të bllokojnë llogaritë bankare. Struktura e taksave dhe e tarifave vendore, nga marrja dijeni për bllokimin, përgatit dhe i dërgon bankës urdhrin e ekzekutimit, pra, shumën që duhet të transferohet për llogari të taksave vendore.

Jo vetëm kaq, nëse tatimpaguesi sërish do të përpiqet të shmangë detyrimet tatimore që vijnë nga taksat dhe tarifat vendore, atëherë do të vendoset masa e sekuestros dhe konfiskimit të pasurisë.

“Me kalimin e afatit 15-ditor, nga dita e marrjes së njoftimit të sekuestrimit nga ana e taksapaguesit, sendet e paluajtshme ose të luajtshme të sekuestruara nga administrata tatimore, prej taksapaguesit, konfiskohen dhe i nënshtrohen procesit të shitjes së tyre, me qëllim arkëtimin e detyrimit tatimor”, theksohet më tej në udhëzim.

Nga penalitetet nuk do të kursehen as palët e treta, që mund të jenë aksionerët apo administratorët, ndërsa të vetmet mundësi që kanë qytetarët për “t’i shpëtuar kësaj përndjekjeje” janë shlyerje e detyrimeve përmes skemës me këste.

PJESË NGA UDHËZIMI I MINISTRISË SË FINANCAVE DHE I MINISTRISË SË BRENDSHME UDHËZIM I PËRBASHKËT Nr. 17, datë 20.6.2022 PËR PËRCAKTIMIN E UNIFORMITETIT MINIMAL TË STANDARDEVE PROCEDURALE PËR MBLEDHJEN E DETYRIMEVE TË TAKSAVE E TARIFAVE VENDORE

IDENTIFIKIMI I ÇËSHTJEVE

Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore, përgjegjëse për masat shtrënguese ka autoritetin dhe kompetencat për të mbledhur detyrimet tatimore të papaguara, kur konstaton se taksapaguesi është në kushtet e paragrafit 1, të nenit 88, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Procedurat e mbledhjes së detyrimeve tatimore vendore të papaguara, fillojnë në rastet kur:

a) ka përfunduar afati i përcaktuar në ligj, akte nënligjore apo vendime të këshillit bashkiak, për pagesën e taksës apo tarifës vendore, i cili zbatohet pas verifikimit nga administrata tatimore vendore, të mungesës së ankimimit administrativ;

b) ka përfunduar ankimi administrativ në organin kompetent brenda hierarkisë administrative (bashkisë), si dhe verifikimi nga administrata tatimore vendore si i pa vazhduar në shkallën e pushtetit gjyqësor, pranë gjykatës administrative; c) kur ka përfunduar me një vendim të formës së prerë, jo në favor të palë.

PROCEDURA PËR MBLEDHJEN ME MASA SHTRËNGUESE TË DETYRIMEVE TATIMORE VENDORE

Njoftimi dhe kërkesa për të paguar është akti administrativ, i cili shërben si një njoftim me shkrim, me të cilin administrata tatimore vendore i kërkon taksapaguesit, pagesën e plotë të taksave dhe tarifave vendore, nëse prej tij nuk janë paguar plotësisht dhe në afatin e përcaktuar detyrimet tatimore vendore.

Njoftimi i dërgohet taksapaguesit me njërën nga format e mëposhtme: – me anën e shërbimit postar rekomande; – dorazi; – në rrugë elektronike,

Me kalimin e 10 ditëve nga data e nisjes me postë, rrugë elektronike të këtij njoftimi, ose brenda 3 ditëve nga data e dorëzimit në dorë taksapaguesit të njoftimit, Drejtoria e Taksave dhe e Tarifave vendore ka detyrimin të fillojë zbatimin e procedurës për mbledhjen me masa shtrënguese të detyrimeve tatimore të papaguara.

BLLOKIMI I SHITJES SË AKTIVEVE

Administrata tatimore vendore, sipas afatit në paragrafin e fundit më lart, i dërgon Qendrës Kombëtare të Biznesit kërkesën për ndalimin e veprimeve që kanë të bëjnë me transferimin e kapitaleve të veta të taksapaguesit. Taksapaguesi, për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij apo të shesë/të transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur, nëpërmjet shitjes/transferimit të aktiveve, synohet shlyerja plotësisht e detyrimit tatimor të papaguar.

Në këtë rast, taksapaguesi paraqet në QKB një dokument nga administrata tatimore vendore, që vërteton se transaksioni kryhet për efekt të pagimit të detyrimit tatimor.

Konfiskimi i jo më pak se 50% të qarkullimit Administrata tatimore vendore, mbështetur në nenin 89, pika 2, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të taksapaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50 për qind të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi i taksave dhe tarifave vendore për të cilat kanë filluar masat shtrënguese.

Taksapaguesi njoftohet paraprakisht se do të fillojë verifikimi dhe monitorimi në terren i aktivitetit tregtar të tij. Urdhri për të konfiskuar në fund të çdo dite një shumë jo më pak se 50% e qarkullimit ditor të realizuar por jo më shumë se detyrimi tatimor, lëshohet nga titullari i NJVV-së ose drejtuesi i strukturës së taksave e tarifave vendore, kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete. Inspektori i caktuar me kryerjen e procedurës ndjek dhe verifikon nëse derdhja e shumës 50% të qarkullimit (jo më shumë se detyrimi tatimor) është bërë rregullisht.

KALLËZIMI PËR NDJEKJE PENALE

Kur struktura përkatëse e taksave dhe tarifave vendore konsideron se pagesa e taksave dhe tarifave vendore është në rrezik dhe ndodhet përpara rasteve, kur: – taksapaguesi është vështirë të gjendet ose kërkon të largohet nga vendi; – taksapaguesi kërkon që nëpërmjet likuidimit, falimentimit të shmangë pagesën e detyrimeve; – taksapaguesi kërkon të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij, me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve; – taksapaguesi kërkon të shesë/transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë për të shmangur pagesën e detyrimeve; apo – arsye tjera të ngjashme të dokumentuara.

Mund të propozojë për kallëzim për ndjekje penale, për marrjen e masës së sigurimit personal, sipas nenit 233, të Kodit të Procedurës Penale. Administrata tatimore vendore, vetë, nëpërmjet titullarit të NJVV-së ose drejtuesit të strukturës së taksave e tarifave vendore, kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete, ose nëpërmjet organit të prokurorisë, ka të drejtë t’i kërkojë bankave me seli në Republikën e Shqipërisë, të mos lejojnë taksapaguesin të bëjë transferimin e shumave jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

URDHRI I BLLOKIMIT TË LLOGARIVE BANKARE TË TAKSAPAGUESIT

Urdhri i bllokimit të llogarive bankare është një njoftim dhe kërkesë për pagesë, që administrata tatimore vendore, nëpërmjet titullarit të NJVV-së ose drejtuesit të strukturës së taksave e tarifave vendore, kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete, i dërgon bankave, për të bllokuar çdo llogari në emër të taksapaguesit, i cili nuk ka paguar taksat e tarifat vendore në shumën dhe kohën e duhur.

Urdhri i bllokimit të llogarive bankare nxirret, pasi kanë kaluar 10 ditë pune nga dërgimi i dokumentit Njoftim dhe kërkesë për të paguar. Ky dokument firmoset nga titullari i NJVV-së ose drejtuesi i strukturës së taksave e tarifave vendore kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete, dhe dërgohet me: – postë; ose – në rrugë elektronike.

Në rast se struktura e taksave dhe tarifave vendore lëshon urdhra bllokimi për më shumë se 20 taksapagues, në të njëjtën ditë, urdhrat dërgohen në format elektronik. Banka, brenda 5 ditëve pune nga marrja e urdhrit, njofton strukturën e taksave dhe tarifave vendore për gjendjet e llogarive/depozitave të taksapaguesit.

Struktura e taksave dhe tarifave vendore, brenda 2 ditëve pune nga marrja dijeni për bllokimin, përgatit dhe i dërgon bankës urdhrin e ekzekutimit. Urdhri i ekzekutimit përmban: i. shumën që kërkohet të transferohet; ii. numrat/kodet e llogarive të taksave/tarifave përkatëse; iii. kodin buxhetor të NJVV-së në sistemin e thesarit.

Praktika shoqërohet me urdhrin e pagesës ose faturës për arkëtim, ku përcaktohen kodet e llogarive apo barcode-t, për secilën taksë/tarifë, si dhe kodin e NJVV-së për llogari të së cilës do të bëhet pagesa. Banka, jo më vonë se 3 ditë pune nga dita e marrjes së urdhrit: – transferon shumën; – njofton strukturën e taksave dhe tarifave vendore në NJVV dhe taksapaguesin, me shkrim ose në rrugë elektronike. Në rast se detyrimi ekzekutohet plotësisht, administrata vendore, me të marrë dijeni, menjëherë, i dërgon bankave, një urdhër zhbllokimi.

Në rast se detyrimi ekzekutohet pjesërisht, administrata tatimore dërgon një urdhër të ri bllokimi bankave, për shumën e detyrimit që rezulton mbas ekzekutimit të pjesshëm. Në rast se taksapaguesi nuk ka gjendje në llogaritë bankare në asnjë nga bankat, llogaritë do të vazhdojnë të mbahen të bllokuara në bazë të urdhërbllokimit.

Referuar Panorama.al

Të fundit