Flash News

E-TJERA

Inceneratorët i kushtuan buxhetit 86 mln € deri në 2021, Elbasani dhe Fieri në top list-ën e investimeve

Inceneratorët i kushtuan buxhetit 86 mln € deri në 2021, Elbasani

10.6 miliardë lekë ose 86 milionë euro, i kanë kushtuar buxhetit të shteti deri në vitin 2021 tre inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.

Pagesat për të tre janë dhënë gjatë periudhës 2015-2021 kur ka nisur edhe zbatimi i kontratës së parë koncesionare për inceneratorin e Elbasanit, sipas Monitor nga të dhënat e përpunuara të Ministrisë së Financave.

Projektet e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit janë renditur në ‘top list-ën’ e investimeve të Këshillit të Ministrave. Inceneratori i Elbasanit që tashmë është sekuestruar nga SPAK ka marrë nga buxheti i shtetit në vlerën e 3 miliardë lekëve rreth 24 milionë euro, përgjatë viteve 2015-2021.

Pagesat progresive për inceneratorin e Fierit arritën deri në fund të vitit 2021 në mbi 3.1 miliardë lekë ose 25.2 milionë euro ku vetëm për vitin e kaluar, janë paguar 690 milionë lekë ose 5,6 milionë euro.

Financimet më të mëdha i ka marrë inceneratori i Tiranës, i cili deri në fund të vitit 2021 ka marrë nga buxheti i shtetit 4.5 miliardë lekë ose 36 milionë euro.

Nga të tre, i vetmi që u vu në punë ishte inceneratori i Ebasanit, i cili gjithashtu tregoi një efektivitet të ulët. Të dhënat që sjell Monitor nga INSTTA, tregojnë se Elbasani gjeneroi mbi 92 mijë tonë mbetje gjatë vitit 2020, teksa 23,3 për qind e tyre nuk u menaxhuan.

Inceneratori i Elbasanit përpunoi gjatë vitit 2021 vetëm 11% të mbetjeve të gjeneruara në qark, 55% janë depozituar në landfille dhe 14% iu nënshtruan procesit të riciklimit. Inceneratori i  Fierit megjithëse është ndërtuar nuk është vënë asnjë ditë në funksion, ndërsa ai i Tiranës është ende në faza ndërtimi.

GJKKO lëshoi dje 14 urdhër arreste, 5 për inceneratorin e Elbasanit dhe 9 për atë të Fierit, ku mes të arrestuarve janë zyrtare dhe ish-zyrtarë.

Mes tyre është edhe deputeti socialist Alqi Bllako, për të cilin SPAK kërkoi autorizim nga Kuvendi për të ekzekutuar urdhër-arrestin. Bllako njoftoi dje dorëzimin e mandatit të deputetit, duke pohuar se do të përballet me akuzat e drejtësisë.

Nga ana tjetër, i vetmi reagim nga qeveria ishte ai i kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla. Në një deklaratë për medit, Balla tha se PS nuk do të bëhet as mburojë dhe as zyrë avokatie e askujt, duke nënkuptuar se Bllako do të jetë i vetëm në ‘betejën’ me drejtësinë.

Bllakos iu sekuestruan dje pasuritë e paluajtshme mes tyre edhe apartamenti i babait të tij me vlerë 144,246 euro, sa shuma 14,964,900 lekë që Alqi Bllako ka përfituar nga pronari i inceneratorit të Fierit, Klodian Zoto.

Të fundit