Flash News

E-TJERA

Transferta nga Shqipëria në Zvicër/ Mbi 1.8 mln euro të hedhura në llogarinë e bashkëjetueses së Ahmetajt

Transferta nga Shqipëria në Zvicër/ Mbi 1.8 mln euro të

Tre transferta të mëdha bankare nga bankat shqiptare në llogarinë e bashkëjetueses së Ahmetajt, janë zbuluar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Gazetari Poli Hoxha tregoi për Euronews Albania se nga burimet e tij ka mësuar se bëhet fjalë për tre transferta të kryera nga dy banka në Tiranë në numrin e llogarisë së bashkëjetueses së ish-zv.kryeministrit në Swiss Bank.

Sipas Hoxhës, bëhet fjalë për një total parash të transferuara që arrin shumën e 1.8 milionë euro.

“Për herë të parë, me anë të agjentëve të FBI që ndodhen në Shqipëri, po ndiqet paraja. Duket se po shikojmë çudira të mëdha me këtë mënyrë. Lajmi është që sapo po botojmë numrat e llogarisë, pasi janë zbuluar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, tre transferta të mëdha nga 600 në 750 mijë euro, nga dy banka në Shqipëri, të cilat shkojnë drejt një llogarie të bashkëjetueses së Ahmetaj në Lugano të Zvicrës.

Kodi i llogarisë ka një A69, që A është Arben dhe 69 viti i tij lindjes. Llogaria është zbuluar në emër të bashkëjetueses. Transfertat janë kryer nga dy banka në Tiranë, 3 transferta drejt numrit të llogarisë në Swiss Bank të bashkëjetueses. Një transfertë është kthyer mbrapsht, por ka mundur të kalojë nga një bank tjetër. Përveç sekuestrimit të vilave, hetimi ka shkuar thellë, duke parë transfertat e parave. Kjo mënyrë hetimi është shtrirë për të gjithë dhe nga të gjitha krahët që kanë kryer një korrupsuion makabër në Shqipëri”, tha Hoxha.

Agjentët e BKH me urdhër të GJKKO zhvilluan disa kontrolle në banesën e ish-bashkëshortes së Ahmetajt në Gjirin e Lalëzit, si edhe në banesat e disa të afërmve të ish-zv.kryeministrit. Qëllimi i kontrollit ishte gjetja e provave dhe materialeve që do t’i shërbejnë hetimit ndaj Ahmetajt.

Kuvendi i hapi rrugë arrestimit të ish-zv.kryeministrit pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, e cila kërkonte autorizim. Aktualisht, Ahmetaj thuhet se ndodhet në Britaninë e Madhe pranë familjes. Besohet se ish-ministri është larguar nga Shqipëria ditën kur në Kuvend është dorëzuar kërkesa e SPAK për arrestimin e tij.

Të fundit