Flash News

E-TJERA

Përplasi 7-vjeçaren me skaf/ Përjashtohet nga Policia e Shtetit efektivi, pezullohet një tjetër

Përplasi 7-vjeçaren me skaf/ Përjashtohet nga Policia e Shtetit

Arjan Tase, shef policie në Elbasan, përplasi për vdekje me skaf mesditën e sotme në Himarë një 7-vjeçare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka urdhëruar përjashtimin e Tases nga radhët e policisë, ndërsa së bashku me të ka pezulluar edhe drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisarin Shpëtim Hasanaj.

Policia njofton se është ngritur një grup hetimor nga AMP për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Tase ishte duke lundruar me mjetin e tij tip skaf kur përplasi për vdekje 7-vjeçaren e cila ndodhej në breg të detit. Mësohet se 7-vjeçarja kishte ardhur nga Anglia për pushime me familjen e saj dhe kishin vendosur të qëndronin në plazhin e Potamit në Himarë

Njoftimi i policisë:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Avdia, për humbjen e jetës së vajzës së tyre 7-vjeçare, e cila u godit nga një mjet lundrues. Për Policinë e Shtetit keqardhja dhe përgjegjësia për këtë ngjarje është e dyfishtë, përveç se në nivel institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, si prindër, si familjarë dhe si bashkëqytetarë të këtij vendi.

Ndërkohë, Nano ka përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit oficerin e Policisë Komisar Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, i cili është arrestuar menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja.

Oficeri i Policisë ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj.

Njëkohësisht, Drejtor Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike, për ngritjen e një grupi të posaçëm, për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shpreh mbështetje dhe inkurajon grupin hetimor të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

 

Të fundit