Flash News

E-TJERA

Mustafa Nano flet hapur: Rama më ka zhgënjyer! Rrëfimi për emrin, fenë dhe “gabimin” si ambasador në Zvicër

Mustafa Nano flet hapur: Rama më ka zhgënjyer! Rrëfimi për

Analisti Mustafa Nano ka bërë një rrëfim në emisionin “Pasvon” me Alfred Lelën, ku është ndalur te zhgënjimi ndaj kryeministrit Edi Rama, qëndrimi i pandryshuar për Sali Berishën, si dhe te disa aspekte personale.

Gjatë intervistës, Nano ka treguar se emri i tij e ka bezdisur në fëmijëri, pasi ndihej ndryshe nga bashkëmoshatarët që kishin emra më modernë.

Ai ka shpjeguar se emri “Mustafa” i është vendosur në nder të gjyshit, ndërsa nëna kishte menduar ta quante Fatos. Megjithatë, ai theksoi se nuk do të dëshironte të kishte një emër tjetër, pasi beson se kjo do të ndikonte edhe në formimin e tij si individ.

"Më ka dhënë bezdi në kontekste të ndryshme. Kur kam qenë 7-8 vjeç, unë isha i rrethuar nga moshatarë që kishin emra modernë. Me emër të vjetër isha vetëm unë dhe një miku im me emrin Riza. Mustafa ishte emri i gjyshit tim dhe nëna ime kishte planifikuar emrin Fatos, por unë linda kur vdiq gjyshi dhe më lanë atë emër."

Sa i përket kuptimit të emrit, Nano ka shpjeguar se “Mustafa” në botën islame do të thotë “i zgjedhuri”, por ka pranuar se ka një marrëdhënie të komplikuar me të.

Ai është ndalur edhe te raporti me fenë, duke theksuar se kritikat e tij janë ndaj islamit si ideologji dhe jo ndaj besimtarëve. Sipas tij, nuk ka problem me njerëzit, por me idetë, ndërsa ka shtuar se nuk është besimtar dhe anon më shumë nga krishterimi.

Lidhur me përvojën si ambasador në Zvicër, Nano e ka cilësuar këtë një nga gabimet më të mëdha të jetës së tij, duke theksuar se ishte një detyrë që nuk i përshtatej.

"Nuk ka lidhje me Zvicrën. Bëra një gabim të madh, është një nga dy gabimet më të mëdha, që pranova të shkoj andej, që u bëra ambasador, që e kërkova vetë. Unë u lodha shumë, jam shumë i lodhur. Është një shoqëri e prapambetur në terma kulturorë, secili prej nesh, nëse sheh komshinjtë që janë pasuruar, askush nuk shqetësohet, madje e shikon me simpati. Unë nuk isha për atë punë."

Duke folur për perceptimin ndaj Shqipërisë jashtë vendit, ai ka treguar se gjatë kohës që shërbente si ambasador, kishte dëgjuar edhe komente negative, ku një diplomate polake i kishte përmendur problemet me pastërtinë dhe zhurmën.

"Ishte periudha kur flitej për bumin e turizmit në mediat europiane. Një ambasadore polake më tha se nuk i kishte pëlqyer Shqipëria, ishte e pisët dhe kishte shumë zhurmë trafiku."

Sa i përket gjuhës, Nano ka deklaruar se nuk ka komplekse në të folur, por përpiqet të jetë më i kujdesshëm në të shkruar.

"Nuk kam kompleks kur flas. Nuk kam frena, por kur shkruaj përpiqem të jem më i kujdesshëm".

I pyetur nga Lela se kur ka qenë komunikimi i fundit me kryeministrin, Nano ka bërë me dije se nuk ka komunikuar me Edi Ramën që nga koha kur mbante detyrën e ambasadorit.

Në lidhje me shprehjen e tij të vitit 2013 “aleanca qelbësirë”, Nano është shprehur se ajo është realizuar, por jo në mënyrën që ai kishte shpresuar, duke shtuar se “qelbësirat janë kudo”.

Teksa Lela e ftoi për një intervistë të ardhshme, ku do të bëjnë debat politik, Nano u shpreh se do të jetë asimetrik, pasi ai nuk punon me Ramën dhe të dy do “i bien” Ramës.

Lela: Pra do i biesh Ramës?

Mustafai: Berishën e konsideroj një rrezik të madh për vendin, por Rama nuk është politikani që unë dua. Është politikan shumë i keq, por Berishën e konsideroj demode.

PER TE NDJKUR INTERVISTEN E PLOTE, KLIKONI NE VIDEON E MEPOSHTME

 

Të fundit