Flash News

E-TJERA

Nga amnistia fiskale, te kanabisi dhe bastet/ Qeveria risolli nismat e vjetra, si ‘sfida’ të reja

Nga amnistia fiskale, te kanabisi dhe bastet/ Qeveria risolli nismat e vjetra,

Mandati i tretë për qeverisë Rama duket se nuk erdhi aq sfidues sa u premtua gjatë fushatës zgjedhore dhe pas zyrtarizimit të fitores. Ndryshe nga çfarë Rama deklaronte në fjalimet e tij, qeverisja e tretë për të do të ishte një rikthim në idetë e vjetra.

Nëse marrim parasysh nismat të cilat qeveria pritet të diskutojë, kuptojmë se kemi të bëjmë me iniciativa të ndërmarra edhe më herët, por ‘të dështuara’ ose të lëna pezull.

Legalizimi i kanabisit mjekësor

Rama i hapi rrugë legalizimit të kanabisit mjekësor. Nisma e përfolur që në maj të vitit 2020, kur kryeministri Rama e shiti si një trend botëror, teksa njoftoi se me vënien nën kontroll të kultivimit të paligjshëm, i hapet rruga lehtësisht legalizimit.

“Kohë më parë kam thënë se nuk është kjo koha për të folur për këtë çështje, pasi ishte koha për të vënë nën kontroll kultivimin e paligjshëm dhe trafikun. Situata ka ndryshuar tashmë. Kemi më shumë se një vit që punojmë për këtë projekt, pasi na është dashur të bëjmë shumë punë kërkimore. Tani janë pjekur kushtet, është shumë e thjeshtë. Nga vijnë idetë, unë nuk jam që luftojë për të drejtat e autorit. Kultivimi i kanabisit për arsye mjekësore, tashmë është një trend botëror. Do ta shtyjmë përpara këtë projekt dhe ambicia është që ta kalojmë para këtij sesioni në parlament”, u shpreh kryeministri.

Dhe ndodhi pikërisht ashtu. Në Këshillimin Kombëtar për qytetarët, Rama pyeti nëse ishin pro apo kundër legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Nga 500 mijë qytetarë që i janë përgjigjur pyetësorit të qeverisë, 308 mijë kanë mbështetur legalizimin e kultivimit të kanabisit, ndërkohë që 143 mijë e kanë kundërshtuar dhe rreth 50 mijë nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim.

Kështu qeveria nisi menjëherë nga puna duke ngritur Agjencinë Kombëtare për licencimin e kompanive, si dhe duke punuar për të krijuar ligjet e posaçme që do të kontrollojnë dhe rregullojnë të gjithë aktivitetin.

Amnistia fiskale

Përpos kritikave nga opozita dhe ekspertët e fushës së ekonomisë, qeveria Rama nuk u tërhoq nga amnistia fiskale. Drafti u hodh për konsultim në qershor dhe parashikon deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro, te cilat me pas tatohen nga 7-10 %.

Ligji parashikon edhe amnisitimin e pasurive të paluajtshme. Sipas projektligjit për personat në përbërje të certifikates familjare, pasuria që lejohet të deklarohet është tërësia e deklarimeve vullnetare të kryefamiljarit ose cdo personi madhor, bazuar në  të dhënat  e certifikatës familjare sipas përbërjes që rezulton e dokumentuar deri me datë 1.1.2022.

Deklarimi vullnetar i pasurive apo i pasqyrave financiare kryhet pranë Njësisë Speciale, nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarimi sipas formularit të deklarimit vullnetar.

Shtetësia me koncesion

Qeveria planifikon të japë shtetësinë shqiptare me koncesion, pra shtetësi kundrejt tërheqjes së investimeve të huaja në Shqipëri.

Çështja e dhënies së nënshtetësisë shqiptare për investitorët e huaj, diçka për të cilën qeveria e Ramës ka rreth tre vjet, është vënë sërish në qendër të vëmendjes. Një vendim i qeverisë i miratuar më 29 korrik dhe i publikuar më 9 gusht, parashikon që një pjesë e programeve për dhënien e shtetësisë shqiptare të jepen me koncesion.

Pasi ndryshoi fillimisht ligjin për partneritetet publiko-privat (PPP) duke shtuar programet e nënshtetësisë në listat ku mund të përdoret ligji, qeveria shqiptare tani po mendon të punësojë firma private për të promovuar këtë skemë tek të huajt.

Edhe kjo nismë u kritikua ashpër nga zyrtarët e Bashkimit Evropian. BE tha se kjo skemë e përdorur edhe në disa vende fqinje, bie ndesh me vlerat e BE-së dhe mund të shkaktojë probleme në ofertat për anëtarësim në bllok.

Rihapja e basteve online

Katër vite pasi operacioni “Fundi i Marrëzisë” i dha fund aktivitetit të basteve sportive online, vendosi t’i rikthejë sërish.

Pak ditë më parë, kryeministri Rama mbajti një dëgjesë publike për rihapjen e basteve online ku pranoi hapur dështimin e qeverisë për mbylljen e tyre.

 “Ky aktivitet nuk ka ardhur në rënie. E bën të domosdoshëm këtë reflektim që bëmë sot. Kanë figuruar aktivë dhe me përfitime krejt të paarsyeshme elementë me profil të lartë të krimit të organizuar”, tha Rama.

Kryeministri e cilësoi ndërhyrjen si një zgjidhje që do të ndihmonte ekonominë, duke pranuar se bastet online qarkullonin 5 milionë euro në vit. 

Në 2018-ën Rama deklaroi: “Paratë e zeza të basteve po derdhen kazaneve për të jashtëqitur llafin se kjo u bëka që të mbetet një monopol online! Mos u lodhni kot, bastet s’i shpetoni dot më! Edhe bastet, edhe ky monopoli online do vdesin për Vit të Ri.”

Të fundit