Flash News

E-TJERA

“Jemi me Kosovën”, reagimi i Xhaçkës nervozon Serbinë: Inkurajon Kurtin për provokime

“Jemi me Kosovën”, reagimi i Xhaçkës nervozon

Ministrja e Jashtme e vendit, Olta Xhaçka, reagoi dje në rrjete sociale për tensioned e shkaktuara nga serbët në veri të Kosovës.

Në një reagim në Facebook, Xhaçka shkroi se bëhet fjalë për një krizë të tezgjatur artificial duke i quajtur serbët që kanë vendosur barrikada në pikat kufitare, një ‘grup kriminelësh’.

Ministrja u shpreh se Shqipëria qëndron krah Kosovës, duke i bërë thirrje Serbisë të mos justifikojë barrikadat dhe grupet kriminale që refuzojnë t’i largojnë.

“Po ndjekim me keqardhje minutë pas minute shfaqjen e një krize të tejzgjatur në mënyrë artificiale në veri të Kosovës dhe jemi thellësisht të shqetësuar nga përshkallëzimi i tensioneve.

Barrikadat që janë ngritur në veri, jo prej ndonjë vale zemërimi popullor, por nga një grup kriminelësh famëkeq, nuk po pengojnë thjesht vijimin normal të jetës. Ato janë po ashtu skena që të kujtojnë ditët e errëta të viteve 1990 të cilat rajoni ynë i ka lënë pas njëherë e mirë bashkë me ish Jugosllavinë që shkoi e vate.

Për pak vjen viti 2023! Kjo nuk është koha për të bërë kërcënime ushtarake apo për sulme të papranueshme kundër Policisë së Kosovës, KFOR dhe Policisë së EULEX. Kjo është koha për dialog dhe bashkëpunim. Kjo përballje e rrezikshme duhet të marrë fund dhe autorët duhet të nxirren përpara drejtësisë.

Ne jemi me Kosovën në këtë situatë të vështirë dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe të mos i justifikojnë as barrikadat e as grupet kriminale që refuzojnë t'i largojnë ato. Të luash me zjarrin është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë”, shkroi Xhaçka.

Mirëpo, reagimi i saj duket se ka ‘acaruar’ autoritetet serbe. Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, i pyetur për Tanjug, ka thënë se Xhaçka nuk ka përmenduar detyrimet që ka Kurti për të zbatuar marrëveshjet e Brukselit.

“Ajo asnjë fjalë nuk i ka kujtuar Kurtit se ka obligim ndërkombëtar të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit, Rezolutën 1244 dhe të gjitha dokumentet tjera relevante, obligimin për formimin e Unionit të Komunave Serbe, për të mos dërguar njësitet të armatosur shqiptare në veri dhe jo të arrestojnë serbët vetëm se janë serbë”, ka thënë Daçiç.

Daçiç ka akuzuar Xhaçkën se po inkurajon Kurtin për provokime. 

"Në vend që ta paralajmërojë që të mos kërcënojë paqen dhe stabilitetin në rajon, ministri shqiptar ende po e inkurajon atë për provokime të mëtejshme”. Prandaj ajo dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare mbajnë një përgjegjësi të madhe për gjithçka që po ndodh dhe mund të ndodhë në Kosovë. Serbia do të bëjë gjithçka për paqen, e udhëhequr nga presidenti i Republikës, Aleksandar Vuçiq, por gjithashtu do të bëjë gjithçka për të mbrojtur popullin serb nga terrori dhe masakrat", tha Daçiç.

Të fundit