Flash News

E-TJERA

Rritet kriminaliteti në vend, 7.5% më shumë se në 2021, shtohen vjedhjet dhe vrasjet

Rritet kriminaliteti në vend, 7.5% më shumë se në 2021,

Krimi në vend ka pësuar një rritje të ndjeshme në vitin 2021.

Bazuar në të dhënat e INSTAT për vitin 2021, janë evidentuar gjithsej 35.175 vepra penale, 7,5 % më shumë, krahasuar me vitin 2020. Në raport me popullsinë në vitin 2021, janë evidentuar 125,1 vepra penale për 10 mijë banorë, nga 115,4 që ishin në vitin 2020.

Dhuna në familje, krimet në fushën e drogës, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, vrasje me dashje, mashtrime dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën janë rritur, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa pjesa tjetër e veprave penale ka pësuar rënie.

Në vitin 2021, janë regjistruar 39.328 autorë për vepër penale, 4.0 % më pak, krahasuar me vitin 2020. Ndërkohë, numri i autorëve pa përsëritje në veprat penale, në vitin 2021 është 35.745 autorë, 1,5 % më shumë, krahasuar me vitin 2020.

Në vitin 2021, 33,8 % e autorëve janë të grup-moshës 30-44 vjeç, 28,1 % të grup-moshës 18-29 vjeç dhe 22,1 % i përkasin grup-moshës 45-59 vjeç.

Sa i përket numrit të personave të dëmtuar, janë 16.910 të regjistruar si të tillë gati 5,2 % më pak se në vitin 2020. Të dëmtuarit për krime kundër personit përbëjnë 37,9 % të totalit të personave të dëmtuar, ku femrat përbëjnë 27,8 % të të dëmtuarve dhe përqindja më e madhe e tyre vihet re në krime seksuale, krime kundër moralit dhe dinjitetit si edhe krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes. 

Numri i procedimeve penale të regjistruara për vitin 2021 është 28.349 procedime, afro 1,8 % më shumë, krahasuar me vitin 2020. Nga 25.688 procedime penale të përfunduara, 23,3 % e tyre janë pushuar,  34,7 % janë pezulluar dhe 42 % janë dërguar për gjykim në gjykatë.

Numri i të burgosurve për vitin 2021 është 4.956, 7,4 % më shumë, krahasuar me vitin 2020. Në raport me popullsinë, në 2021 janë 18 të burgosur për 10 mijë banorë, nga 16 të burgosur që ishin një vit më parë. Meshkujt përbëjnë 98,7 % të totalit të të burgosurve.

Grup-mosha 21-29 vjeç ka normën më të lartë të të burgosurve në raport me popullsinë.

Të fundit