Flash News

E-TJERA

Vettingu sërish 'telash' për Shqipërinë, Strasburgu e gjobit për shkarkimin e ish-gjyqtarit

Vettingu sërish 'telash' për Shqipërinë,

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjobitur shtetin shqiptar me 3.500 euro për vendimin ndaj ish-gjyqtarit Admir Thanza, i shkarkuar në vitin 2018 nga Vettingu. Gjykata e Strasburgut ka gjetur shkelje në një pjesë të vendimit nga organet e vettingut.

Sikurse arsyeton gjykata në vendimin e saj, nga shqyrtimi i kërkesës së paditësit Admir Thanza, “lidhur më me vlerësimin e historikut për sa i përket dështimit të z. Thanza për të zbuluar kontakte me individë të përfshirë në krimin e organizuar, Gjykata u shpreh se atij nuk i ishte dhënë mundësia e duhur për të kundërshtuar atë konstatim”.

Gjykata e Strasburgut përsëriti se shkarkimi nga detyra ishte një sanksion i rëndë disiplinor, i cili kërkonte një bazë solide duke pasur parasysh efektet në jetën private të një individi.

Ai vuri në dukje konkluzionet e organeve të vettingut në lidhje me blerjen e banesave gjatë një periudhe në të cilën familja e Thanzës nuk kishte pasur kursime të mjaftueshme ose burime të tjera të ligjshme për të bërë blerjet, si dhe shpenzimet e nevojshme për rinovimin e këtyre pronave

“Qasja e organeve të vettingut në vlerësimin e fakteve dhe interpretimin e ligjit të brendshëm nuk ka qenë as arbitrare, as haptazi e paarsyeshme dhe as në disproporcion me rezultatin. Nuk kishte pasur asnjë mangësi në procesin e vendimmarrjes për sa i përket vlerësimit të pasurisë, gjë që organet e vettingut e konsideruan të mjaftueshme për të justifikuar shkarkimin e Thanza. Sa i përket ndalimit të pretenduar për të ushtruar profesionin e avokatit, Gjykata e hodhi poshtë ankesën si të papranueshme”, thuhet në vendimin e gjykatës së Strasburgut.

Admir Thanza u shkarkua nga vettingu në vitin 2018, pasi rezultoi se nuk justifikonte pasurinë, si edhe kishte fshehur në formularin e deklarimit një dënim për vjedhje në Itali.

Në dy vitet e fundit, disa çështje janë çuar në Strasburg nga prokurorë apo gjyqtarë të shkarkuar për shkak të procesit të vetingut dhe disa prej tyre kanë fituar.

Në tetor 2022, ish-prokurori Besnik Cani, i shkarkuar në vitin 2020, fitoi çështjen kundër Shqipërisë në Strasburg. Gjykata vlerësoi se shkarkimi i tij ishte i padrejtë sepse një nga anëtarët e organit të apelit që vendosi për rastin e tij kishte falsifikuar dokumentet për të fituar pozitën e tij.

Në dhjetor 2022, një tjetër vendim i organeve të vettingut të Shqipërisë, për rastin e ish-prokurores Antoneta Sevdari, u vlerësua si joproporcional nga GJEDNJ. Megjithatë, gjykata e Strasburgut tha se çështja e Sevdarit nuk tregoi një dështim sistemik në procesin e vetingut.

Në prill të këtij viti, pezullimi i prokurorit shqiptar Dritan Gina – i cili më pas u shkarkua në procesin e vetingut – u vlerësua nga GJEDNJ si jo në përputhje me ligjin.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit