Flash News

E-TJERA

Dy vite nga shembja e Teatrit Kombëtar, qeveria lë në 'hije' historinë 83-vjeçare

Dy vite nga shembja e Teatrit Kombëtar, qeveria lë në

Mëngjesin e 17 majit 2020, në orën 04:30 u shembën dy ndërtesat e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental. Artistë, aktivistë, politikanë, gazetarë kërkuan për dy vite të shpëtonin teatrin nga shkatërrimi.

Fadromat rrethuan godinën e teatrit, në orët e vona të natë në pabesi, aty ku qytetarë, artistë e aktivistë qëndronin për t’i bërë rezistencë qeverisë, e cila ishte vendosur t’i shtypte kërkesat e tyre. Tentativat për të ndalur shembjen e teatrit çuan në përplasje të forta mes tyre dhe forcave të policisë.

Pas 12 orësh aksion, ajo çka mbeti ishin vetëm rrënojat e dy godinave.

Tensione, përplasje, shoqërime

Shembja e teatrit u shoqërua me tensione. Artistët, aktivistët dhe qytetarët e tjerë të pranishëm u përplasën me forcat e Policisë së Shtetit dhe RENEA, të cilën shoqëruan një pjesë të protestuesve.

Mes të shoqëruarve ishin: Neritan Liçaj, Robert Budina, Silva Caka, Floida Kërpaçi, Endrit Braimllari dhe Monika Kryemadhi nga LSI, kreu i FRPD-së Belind Këlliçi dhe qytetarë të tjerë që iu bashkuan protestës për shembjen e teatrit.

Policia ndërhyri me mjete të forta dhe gaz lotsjellës, për të shpërndarë turmën e protestuesve.

Reagimet

Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerësoi asokohe se vendimin për shembjen ose jo ë Teatrit Kombëtar do të duhej ta merrnin organet kompetente, teksa theksonte se nuk ishte momenti i duhur për t’u ndërmarrë një aksion i tillë nga qeveria.

“Nuk është në misionin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) për tu shprehur nëse duhej shembur ose jo Teatri Kombëtar. Organet gjyqësore kompetente do të jenë ato që do të vlerësojnë bazueshmërinë dhe ligjshmërinë e vendimit dhe akteve administrative për shembjen e tij, ndërkohë aspekti i kushtetutshmërisë se legjislacionit lidhur me këtë çështje do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

KShH respekton legjitimitetin dhe autoritetin e këtyre organeve, edhe pse ato nuk patën mundësi të shpreheshin në kohë, për shkak të ekzekutimit me urgjencë të shembjes së kësaj godine. KShH vlerëson se, nuk ishte momenti i përshtatshëm për ekzekutimin e këtij vendimi, duke marrë parasysh faktin se për shkak pandemisë globale Covid 19, në vendin tonë është vendosur gjendja e fatkeqsisë natyrore”, thuhej në reagimin e KShH.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i kërkoi policisë lirimin e protestuesve të arrestuar. Protesta e paralajmëruar nga aleanca vazhdoi për muaj duke kërkuar drejtësi për teatrin si një vlerë e përbashkët evropiane.

“Kërkojmë njëzëri lirimin e të gjithë qytetarëve të arrestuar. Njëkohësisht i kujtojmë publikut të gjerë se kompleksi i Teatrit Kombëtar është dokumentuar në çdo centimetër në dosjen e dorëzuar pranë organizatës "Europa Nostra" që e ka shpallur muajin e kaluar Teatrin Kombëtar si vlerë e përbashkët evropiane. Në këto raste qytetarët ngrihen në këmbë e bashkohen aty ku vazhdon qëndresa, aty ku do ndërtojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës: te Teatri. Protesta e qytetarëve kundër dhunës dhe arrogancës vazhdo”, shkruante aleanca.

Kushtetuesja ‘rrëzon’ qeverinë

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ligjin special dhe vendimin e qeverisë që i hapën rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar. Kushtetuesja e cilësoi ligjin dhe vendimin e qeverisë si antikushtetues dhe në kundërshtim me shtetin e së drejtës.

Pas gjykimit, Kushtetuesja vendosi të pezullojë zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar.

Protestuesit e panë asokohe vendimin nga ana e Kushtetueses vetëm si një fitore morale.

Ndërtimi i teatrit të ri, edhe sot një premtim ‘bosh’

Kryeministri Edi Rama premtoi rindërtimin e teatrit të ri Kombëtar me standarde evropiane, me qëllimet që të zhvishet nga paragjykimet e së kaluarës.

“Rindërtimi i teatrit do të bëhet me standarde evropiane. Teatri do pajiset me të gjitha instrumentat. U pengua rindërtimi i tij, por ne do bashkëpunojmë me Bashkinë e Tiranës dhe faktorë të tjerë për të pasur një teatër me standarde bashkëkohore. Është koha për të rindërtuar edhe Teatrin Kombëtar, që është në një vend kyç, është mirë që të mbetet aty, por duke u zhveshur nga paragjykimet e të shkuarës, që e penguan ndërtimin e tij me kohë e me vak. Ëndrra për të pasur më në fund një tetar me të gjitha parametrat me standarde bashkëkohore do të bëhet realitet”, deklaroi Rama asokohe.

Mirëpo, edhe sot premtimi i dhënë nga kryeministri mbetet vetëm një premtim. Aktualisht hapësira para ish-Teatrit Kombëtar mbetet bosh pa rrënoja. Teatri i standardeve evropiane nuk është ndërtua.

I pyetur nga gazetarët në një konferencë për shtyp, Rama deklaroi se ndërtimi i teatrit po pengohet nga rritja e çmimeve edhe në sektorin e ndërtimeve, duke justifikuar kështu premtimin e pa mbajtur për ata protestues që nuk e reshtën rezistencën për muaj.

“Për fat të keq, ne u bëmë tani 3 vjet që bëmë plane dhe kemi projekte për të realizuar dhe ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje të forta faktorësh jashtë nesh, si tërmeti, si pandemia, si lufta që ka nisur e cila ka goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve dhe ndërtimit në veçanti dhe jemi duke diskutuar përsa i përket këtij të fundit.

Nuk ka asnjë ndryshim për projektin për teatrin, e gjitha është nga një moment i vështirë për kalimin nga letra në zbatim për shkak të rritjes së çmimeve dhe jemi duke rishikuar manualin për zbatim. Është e kotë të iu kërkosh kompanive që të marrin pjesë nëpër gara, të cilat janë de fakto shumë më të shtrenjta se çfarë figurojnë në manualin e vjetër. Po merremi me këtë çështje. Patjetër që Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe ashtu siç e kemi zotuar”, deklaroi Rama.

Të fundit