Flash News

E-TJERA

Betohet kreu i ri i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku rendit objektivat

Betohet kreu i ri i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku rendit

Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rumbullaku, është betuar sot në ceremoninë e marrjes së detyrës së re.

Në fjalën e tij të parë si kreu i Policisë së Shtetit, Rumbullaku u shpreh se policia ka nevojë për një frymë të re nga gjenerata e re duke theksuar se menaxhimi i burimeve njerëzore do të jetë kryefjala e policisë nën drejtimin e tij.

“Në këtë çast solemn, në respekt të brezave, në shenjë nderimi, të rënëve në krye të detyrës, të vendosur për të zbatuar ligjin, betohem për të mbajtur me nder Flamurin e Policisë së Shtetit. Policia e re ka nevojë për një frymë të re, që e sjell gjenerata e re e Policisë së Shtetit. Policia mbart kapacitete njerëzore dhe intelektuale, mjafton që këta të ruhen e të promovohen në bazë të mertitokracisë. Çdo punonjës duhet të jetë komod, për këtë kemi për të zhbërë çdo pabarazi. Menaxhimi i burimeve njerëzore do të jetë kryefjala, në zbatim të ligjit. Nuk ka vend për persona pa integritet. Personeli do të edukohet në mënyrë të vazhdueshme. Analiza për të gjitha mosrealizimet në luftën kundër krimit të organizuar, analizë e thelluar në luftën kundër paligjshmërisë, dekonspirimet e operacioneve policore për dhënien e masave në këtë drejtim. Vlerësim real në lidhje me tendencën në rritje të krimit kibernetik. Vendosja e inteligjencës në çdo veprimtari policore për hetimet proaktive. Së treti, riorganizim i kapaciteteve monitoruese të kontrollit në komunitet, krijimi i rrethanave të reja gjatë kontrolleve me prezencën e policëve pa uniformë me qëllim rritjen e evidentimit të fenomeneve që cenojnë sigurinë. Ulje e prezencës së policëve në territorin e vendit për kontrollit”, deklaroi Rumbullaku.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se Rumbullaku është ndër të paktët figura me integritet e moral të lartë dhe që plotëson të gjitha kriteret ligjore për të qenë kreu i Policisë së Shtetit.

“Përveç kritereve ligjore që plotëson për të qenë drejtor i policisë se shtetit, në gjykimin tim por edhe të gjithë njerëzve që jam konsultuar , është nga të pakët punonjës të policisë që ka krijuar një figurë me integritet të lartë moral dhe profesional. Është nga të paktët që ka qenë në pjesën më të madhe të karrierës së tij në pozicione drejtuese. Policisë së shteti I duhet një person si Rrumbullaku. Mesazhi që dua t’ju jap sot: ju sot do merrni në dorëzim flamurin e organizatës, ne respektojmë shumë flamuj të vendeve të tjera. Ca më shumë ca më pak, flamuri i vetëm për të cilin çdo shqiptar është gati ta japë jetën është flamuri me shqiponjën , këtë gjë mos e harroni. Jam bindur se do ta realizoni me nder dhe sukses këtë rrugëtim,” tha Çuçi.

Muhamet Rumbullaku merr postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pas shkarkimit të Gledis Nanos. Ky i fundit u shkarkua nga qeveria për shkak se sikurse njoftoi Çuçi, nuk kishte përmbushur objektivat e vendosura.

Të fundit