Flash News

E-TJERA

“Akuzat u motivuan nga kritikat”, mediat italiane: Qeveria shqiptare duhet të paguajë 120 mln euro. Thirrja e Becchettit

“Akuzat u motivuan nga kritikat”, mediat italiane: Qeveria shqiptare

Pas një dekade betejash ligjore, Shqipëria e ka humbur përfundimisht çështjen për rishikim të vendimit të arbitrazhit që i njeh sipërmarrësit italian Francesco Becchetti dhe personave të tjetër një dëmshpërblim mbi 120 milionë euro.

Kështu e nis artikullin “Il Fatto Quotidiano” referuar vendimit të fundit të Gjykatës së Abritrazhit për çështjen ‘Bechetti’. Shteti shqiptar duhet t’i paguajë një dëmshpërblim biznesmenit italian që sipas mediave italiane shkon në 120 milionë euro.

“Shuma është e madhe, e barabartë me 0.75% të prodhimit të përgjithshëm bruto të Tiranës, që më 2022 arriti 16.2 miliard euro”, shkruan “Il Fatto Quotidiano” teksa tregon peshën që gjoba do të ketë në ekonominë e vendit.

Konflikti ligjor kishte të bënte me Agon Channel, një kanal televiziv i hapur në Tiranë në prill 2013 me 500 punonjës, pronar i të cilit ishte Becchetti.

Për shkak të kritikave ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama, qeverisë së tij dhe politikanëve të tjerë, kanali u mbyll në tetor 2015, pasi Beçhetti dhe nëna e tij, Liliana Condomitti, u akuzuan padrejtësisht për pastrim parash, shkruan media italiane.

Pasuritë e Becchetti-t u ngrinë, u nxor një mandat arresti ndërkombëtar dhe u kërkuar ekstradimi.

Në tetor 2015, Becchetti u arrestua në Londër, por në korrik 2016 Gjykata Penale e Westminster-it refuzoi mandatin e ekstradimit, duke i përkufizuar provat shqiptare “totalisht të rreme”.

Hedhjen poshtë të kërkesës së Shqipërisë e bëri ICSID në Washington, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve mbi Investimet, që është pjesë e grupit të Bankës Botërore.

Sipas ICSID, mandatet e arrestit të nxjerra nga qeveria e Ramës kundër Becchetti-t dhe administratorit të Agon Channel, Mauro De Renzis – të akuzuar për evazion fiskal, falsifikim dokumentesh, përvetësim të padrejtë dhe riciklim parash – ishin të motivuara nga kritikat e televizionit kundër qeverisë shqiptare dhe se mbyllja e televizionit ishte kulmi i një fushate politike kundër Becchetti-t.

Gjykata e Londrës vendosi që Tirana kishte abuzuar me procedurën gjyqësore. Pasi Shqipëria nuk ishte në gjendje t’i justifikonte, Interpol tërhoqi mandatet e arrestit kundër Becchetti-t e De Renzis.

Tani vendimi i vitit 2019 bëhet përfundimtar dhe qeveria shqiptare duhet t’i paguajë 120 milion Beçhettit dhe personave të tjerë të prekur.

Biznesmeni italian ka konfirmuar se mbyllja e etlevizionit ka qenë një hap i marrë nga qeveria Rama, teksa i bën thirrjen kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, të ndërhyjë që Rama dhe qeveria e tij të paguajë dëmshpërblimin.

“Rama dhe qeveria e tij kryen ndaj meje një nga aktet më të këqija të persekutimit politik në historinë e sotme evropiane dhe kanë trazuar jetën e familjes sime. Pres që Giorgia Meloni të ndërhyjë menjëherë që Rama dhe qeveria e tij të ndërpresin menjëherë persekutimin e të paguajnë dëmshpërblimin që detyrohen”, ka thënë Becchetti.

Të fundit