Flash News

E-TJERA

5.5 mln USD për ’Transparencën’, projekti ‘ngec’ në diskutime. Rama vë në pikëpyetje fondin e SHBA: E përdorin ekspertët

5.5 mln USD për ’Transparencën’, projekti

Shtetet e Bashkuara të Amerikës akorduan në qershor të vitit 2020, në fond prej 5.5 milionë dollarësh për ngritjen e Akademisë së Transparencës.

Projekti në fjalë, sikurse deklaroi asokohe ambasada amerikane në Tiranë, ka për qëllim “të rrisë transparencën dhe integritetin e qeverisë dhe të institucioneve publike e private si dhe do të mbështesë reformën në drejtësi”.

Gjithashtu akademia do t’i shërbejë qeverisë “të menaxhojë donacionet e marra për rimëkëmbjen nga tërmeti, si dhe fondet e tjera publike, në një mënyrë transparente dhe të përgjegjshme”.

I pyetur nga ‘Zëri i Amerikës’ dje gjatë vizitës së tij në SHBA, kryeministri Edi Rama duke folur për krijimin e Akademisë së Transparencës, u shpreh se projekti në fjalë është ende në proces diskutimi. Kryeministri u duk se vendosi në pikëpyetje fondin amerikan, duke deklaruar se “thuhet se lekët i jepen Shqipërisë dhe ndërkohë lekët përdoren për të paguar ekspertë”.

Pjesë nga intervista:

Zëri i Amerikës: Pak më shumë se një vit më parë u fol për krijimin e një akademie të transparencës, një bashkëpunim me SHBA-të. Ku qëndron ky projekt? A po ecën përpara apo?

Edi Rama: Për këtë duhet të pyesni përfaqësuesit e administratës amerikane, jo mua. Këtu i keni. Afër.

Zëri i Amerikës: Kjo akademi po bëhet për Shqipërinë. Ata po ndihmojnë.

Edi Rama: Ata po na ndihmojnë për ta krijuar, por s’po e krijojnë.

Zëri i Amerikës: Domethënë, projekti për momentin quhet i pezulluar?

Edi Rama: Jo i pezulluar, por është një proces diskutimi që po zgjat. Të shohim dhe shpresojmë që do të konkludohet me sukses. E rëndësishme është që pala amerikane të bëjë diçka serioze dhe konkrete dhe jo një tjetër projekt nga ato projektet, ku thuhet se lekët i jepen Shqipërisë dhe ndërkohë lekët përdoren për të paguar ekspertët që vijnë nga këtu ose nga vende të tjera dhe paguhen në mënyrë mbresëlënëse për të dhënë receta të gatshme që shpeshherë nuk funksionojnë.

Zëri i Amerikës: Para se të largoheni nga SHBA-të ju do të keni një takim me USAID-in. A do të jetë kjo çështje në diskutim?

Edi Rama: Patjetër.

Të fundit