Flash News

DITARI POLITIK

Fjalimi në KiE ‘ndez’ debate/ Rama: Rublat vazhdojnë flasin, Berisha: Burracak që fshihesh pas hijes tënde

Fjalimi në KiE ‘ndez’ debate/ Rama: Rublat vazhdojnë

Fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Evropës mori mjaft kritika, jo vetëm nga disa prej përfaqësuesve të pranishëm në takim, por edhe nga opozita shqiptare.

Rama, përmes një postimi në Twitter, i është përgjigjur kritikave që i janë adresuar nga kreu i PD-së Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Rama ka postuar një foto ku janë Berisha, Meta dhe Basha, teksa shkruan se opozita e rublave mund të flasë mbrapsht, por është më e zhytur seç duket në paratë ruse.

“Rublat vazhdojnë të flasin mbrapsht në Tiranë, siç folën në 2011 përmes votës KUNDËR Kosovës, e vetë Shqipërisë dhe PRO Rezolutës famëkeqe, që lemerisi botën me shkulësit e organeve shqiptarë! Opozita e rublave është e zhytur shumë më thellë se sa duket në thesin e parave ruse...”, shkruan Rama në Twitter.

Nga ana tjetër, kryedemokrati Berisha ju kundërpërgjigj Ramës nga konferenca e përjavshme me gazetarët, duke e konsideruar një akt burracaku që mundohet të fshihet pas hijes së vet.

Berisha u shpreh se po dëmton gjendjen e udhëheqësve të UÇK-së në Hagë dhe po e bën gjithçka për interesat e tij personal.

“Është akti i një burracaku që kërkon të fshihet pas hijes së vet. Së pari, kam këtu tekstin e fjalës së përfaqësuesit të Edi Ramës në Asamblenë e KiE, ku thotë në mënyrë tekstuale se jemi dakord për hetim të plotë dhe të gjerë. Së dyti, Edi Rama ka qenë kryetar i PS, kur deputetët e tij kanë votuar në parlament, ligjin për hetimin ndërkombëtar të këtyre krimeve në territorin e Shqipërisë. Pra, Edi Rama ka qenë 100 përqind dakord me këtë.

Unë shoh me një keqardhje disa qëndrime të autoriteteve të ndryshme në Kosovë, që nuk e frenojnë Edi Rama. Ai po dëmton gjendjen e udhëheqjes politike të burgosur në Hagë. Nëse presidenti i një vendi u arrestua pothuajse në avion, që nuk ka ndodhur kurrë, në mënyrën më të pamerituar, kjo ndodhi për shkak të fushatës anti-gjykatë të Ramës dhe Baton Stanishiçit.

Absolutisht, qëndrimi më i keq që mund t’u bëhet zotërinjve Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Fatmir Limaj, është fushata e çmendur e Edi Ramës, gjoja po i ndihmoj, por po i dëmton në palcë. Kjo me të gjitha, sidomos fjala e tij në Asamblenë Parlamentare. Është interpretuar si presion politik, gjë që e hedhin me neveri në Europën Perëndimore. Nëse do t’i ndihmojë, të caktojë një fond dhe të marrë avokatët më të mirë dhe t’i dërgojë në sallë.

Por Edi Rama po përkeqëson gjendjen e tyre para trupit gjykues në Hagë. Unë në radhë të parë jam kosovar. Kurse Edi Rama po bën gjithçka për interesat e tij personale. Kosova ishte në prag të anëtarësimit, Rama kishte disa mënyra më efiçente që të lobonte për këtë anëtarësim”, tha Berisha.

Të fundit