Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Sa kohë të jetë PD në pushtet, s’do pranojmë kurrë guvernatorë

Berisha: Sa kohë të jetë PD në pushtet, s’do

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha shpalosi qëllimet e qarta të demokratëve teksa ju referua edhe ambasadorëve të huaj në Shqipëri.

Berisha tha nga takimi me banorët e Kombinatit, Astirit dhe Unazës, se PD nuk do të lejojë asnjë guvernator në vend për sa kohë që demokratët do të qëndrojnë në pushtet.

Berisha nënvizoi mirënjohjen dhe respektin e tij për partnerët ndërkombëtarë duke renditur edhe arritjet që PD ka shënuar në vitet e pushtetit. Kryedemokrati cilësoi multimiliarderin George Soros si njeriun më të rrezikshëm të mafies politike.

“Jemi përballur me njërin prej njerëzve më të rrezikshëm të mafies politike, botërore, George Soros. Ai kishte projekt asgjësimin e PD, shndërrimin e saj në një shtojcë të partisë së Edi Ramës, kjo është e vërteta. Dy ditë më parë guvernatori republikan i Floridës, De Santis, i thotë Sorosit se ti je një armik që po kërkon të shkatërrosh Amerikën, unë të shpall luftë dhe do të të shkatërroj. Ua solla këtë shembull për të realizuar vetë se në çfarë kushtesh u rithemelua dhe u ngrit fuqishëm PD. Ne jemi parti që kemi hapur Shqipërinë, jemi parti që kemi shënuar të gjitha arritjet e derisotme të saj në rrugën e integrimit, nga anëtarësimi në KiE, NATO, vizat dhe marrja e statusit të kandidatit në BE. I arritëm me vështirësi, por bëmë gjithçka që shteti të funksiononte, ekonomia të funksiononte, të drejtat të respektoheshin. U jemi shumë mirënjohës partnerëve tanë ndërkombëtarë. Nuk kemi asnjë tendencë ksenofobie, por sot dhe kurrë, e deklaroj këtu publikisht guvernatorë në këtë vend nuk do të deklarohen sa kohë të jetë Partia Demokratike në pushtet”, tha Berisha.

Kujtojmë se Berisha ka pasur një përlasje të gjatë me ambasadoren amerikane Yuri Kim së cilës i është referuar shepesh me termin ‘guvernatore’. Debatet nisën pas deklaratës së Kim e cila u shpreh se shqiptarët nuk mund të hanë bar, teksa i referohej prezencës së Berishës në PD në një kohë kur SHBA e shpalli ‘non-grata’.

Të fundit