Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama si në 2013, poston pamjet e Bashkisë Shkodër. Harron se nuk u jepte fondet dhe i luftoi vazhdimisht

Rama si në 2013, poston pamjet e Bashkisë Shkodër. Harron se nuk

Në fushatën zgjedhore të 14 majit, Edi Rama kërcënoi haptazi qeverisjen vendore dhe qytetarët se nëse do të zgjidhnin një kandidat nga opozita për kryebashkiak, do të humbisnin investimet dhe fondet nga qeveria.

“Dhe po ju them dhe një gjë tjetër dhe po ja u them shumë troç. Kush do fusi gomarin me veshë të gjata në Bashki, ta harrojë qeverinë. Ta harrojë mbështetjen nga qeveria. Ne nuk mundet kurrë të na vënë përpara faktit të kryer medemek në emër të votës dhe të na detyrojnë të bashkëpunojmë me individë të shpallur non grata jo nga unë, jo nga Mali i Zi, as nga Maqedonia, por nga SHBA”, deklaroi Rama nga Kamza.

Vetë Rama e mohoi deklaratën e bërë duke hedhur poshtë kërcënimet që sipas tij nuk ishin të tilla.

Sot, Rama ka ndarë një video me pamje nga Bashkia e Shkodrës. Krahas pamjeve filmike, Rama shkruan se “me brendinë e Bashkisë Shkodër, ku pamjet s’kanë nevojë për koment dhe shumë shpejt do të jenë thjesht një film i së shkuarës në terrin “demokratik” të tre dekadave, ju uroj një të diel të qeshur”.

Mirëpo, ajo që Rama sot e quan me krenari një “terr demokratik” është rezultat i qeverisjes së tij. Kryebashkiaku i Shkodrës asokohe, Bardh Spahia denoncoi se qeveria Rama nuk i kishte ofruar mbështetje dhe fonde.

Spahia deklaroi se nga viti 2015 e deri në vitin 2023, aktualisht, qeveria kishte refuzuar rreth 42 projekte të dorëzuara nga Bashkia e Shkodrës, SIpas Spahisë, ishin miratuar vetëm një pjesë e vogël nga çka ishte dorëzuar.

“Unë kam sjellë këtu listën e projekteve të propozuara. Nga viti 2015 deri në 2023 kemi paraqitur në total 42 projekte, me një total prej 22.5 milionë euro. Janë financuar nga këto, para se të filloja unë punë, vetëm 4, me 242 mijë euro. Vijmë te viti 2023. Kemi paraqitur vetëm gjatë drejtimit nga ana ime 50 projekte të konceptuara dhe të përfunduara, me një total prej 21 milionë euro dhe kemi marrë zero projekte të miratuara.

Nga vitit 2015 nga gjithë Fondi i Zhvillimit të Rajoneve bashkia Shkodër ka marrë 0.74 për qind të totalit, krahasuar kjo me bashki të tjera të ngjashme apo të të njëjtës madhësi me Shkodrën, siç është Elbasani apo Korça. Ka marrë 7 herë më pak Shkodra dhe bashkia Korçë dhe Elbasan dhe 10 herë më pak se Durrësi, 5 herë më pak se Vlora, megjithëse Shkodra ka specifika të tjera se jemi me territorin më të madh, më të vështirë dhe është kryeqendra e Veriut”, tha Spahia.

Përpos kërcënimeve direkte, Rama nuk i kurseu as të ashtuquajturat sipas tij “kritika”, kundrejt Bardh Spahisë. Rama deklaroi nga fushata se Shkodra ishte Bashkia më e pramabetur e mbushur me kazane e plehra kudo.

“Ne e kemi parë në të gjithë rrugëtimin tonë se sa e vështirë bëhet për bashkitë dhe komunitetet kur drejtimi i tyre është në duart e atyre që në të gjithë historinë e pluralizimit shqiptar asnjëherë askund kur u është dhënë besimi nuk kanë mundur të bëjnë një ndryshim për të cilin sot mund të na tregojnë se sa mirë e kanë bërë. Në asnjë bashki ku kanë drejtuar komuniteti nuk ua ka parë hajrin, por vetëm sherrin. S’ka parë ndryshime, por ka pasur degradim.Shembulli për këtë është Shkodra. Një qytet i bekuar si asnjë tjetër, është bashkia më e prapambetur në Shqipëri. Ku kazanët e plehrave mbushen plot e përplot”, deklaronte Rama.

Të njëjtën gjë, Rama nxitoi të thoshte edhe për strehën e qenve endacakë, kur tha se Benet Beci do të realizonte strehëzën, premtim që sipas tij Spahia nuk e përmbushi dot.

“Jam i bindur që Beneti do ta bëjë më në fund një strehë për qentë. Se kam dëgjuar që ky që keni këtu iu premton vazhdimisht se qentë do i fusi në strehë. Harrojeni se ka për të ndodhur ndonjë gjë e tillë. Qentë do mbeten rrugëve dhe do të shtohen rrugëve”, deklaroi Rama.

Në fakt, kryeministri ishte gabim sepse Bardh Spahia jo vetëm e kishte realizuar strehëzën e qenve endacakë, por edhe e kishte inaguruar. Siç duket, kryeministri nuk i është dedikuar Shkodrës me aq zell sa deklaronte, por përkundrazi e ka sulmuar vazhdimisht me kunja e deklarata ironike.

Të fundit