Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama mbron vizionin e kullave: Po ndërtohen nga taksapaguesit më të mëdhenj me kredi, jo para droge

Rama mbron vizionin e kullave: Po ndërtohen nga taksapaguesit më

Një artikull i “The Guardian” një muaj më parë, thoshte se kullat e ndërtuara në Tiranë dhe projektet e planifikuara për ndërtesat shumëkatëshe, janë pjesë e pastrimit të parave të krimit të organizuar.

Kryeministri Edi Rama e ka mohuar një gjë të tillë në intervistën për prestigjiozen gjermane ‘Der Spiegel’. Rama tha se deklaratat e bëra në artikullin e ‘The Guardian’ janë të gjitha pretendime.

“Së fundmi në ”Guardian” u botua një artikull për ndërtimin e shumë pallateve të larta në qendër të Tiranës, ku pretendohej se projekti i ndërtimit është pastrim parash dhe se këto pallate të larta do të qëndrojnë bosh. E gjithë kjo është e gabuar”, tha Rama për ‘Der Spiegel’.

Kryeministri iu referua edhe Teatrit Kombëtar i cili u shemb, sipas tij, për të ndërtuar 7 kulla të tjera të larta. Sa i përket hipotezave për pronarët të cilët investojnë në kulla për të larë paratë, Rama e justifikoi duke thënë se ata kanë marrë kredi në banka dhe janë nën verifikim.

“Jo! Po ndërtohet një i ri ku u shemb teatri i vjetër. Dhe bëhet fjalë vetëm për shtatë ndërtesa të larta. Pronarët e ardhshëm janë të gjithë biznesmenë të njohur. Ata janë ndër taksapaguesit më të mëdhenj në Shqipëri. Blerjet dhe shitjet përpunohen përmes bankave. Disa tani pretendojnë se janë paratë e drogës. E vërteta është se këta persona kanë marrë kredi nga bankat për financim, verifikohen të gjitha transaksionet e shitblerjes. Deklarata jonë ndoshta nuk përshtatet në trendin e artikullit”, shtoi Rama.

Një raport i vitit 2020 nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional vuri në dukje se industria shqiptare e ndërtimit ishte bërë një pikë e nxehtë e njohur për bandat kriminale ndërkombëtare për të pastruar paratë, kryesisht nga trafiku i drogës.

Raporti vlerësoi se 1.6 miliardë euro "para të pista" ishin pastruar përmes sektorit shqiptar të pasurive të paluajtshme në tre vitet e mëparshme, me 60% të financimit të projektit që vinte nga burime të paligjshme.

 

Të fundit