Flash News

KRYESORE

Pse nuk e çoi Rama në "ferr" Belinda Ballukun?

Pse nuk e çoi Rama në "ferr" Belinda Ballukun?

Paralajmërimet e Evropës për të mos u bërë mburojë e korrupsonit, qeveria i injoroi me një karton jeshil, kur në Kuvend rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për t’i hapur rrugë arrestimit të Belinda Ballukut. Mbrojtja që Rama i serviri ish-zv.kryeministres ka vendosur në pikëpyetje integrimin.

Megjithatë, kryeministri ka një tjetër këndvështrim kur vjen puna te korrupsioni qeveritar, e sidomos në rastin Balluku. Nga një takim me studentët, Rama e trajtoi Ballukun si një çështje jo emergjente kur tha se “korrupsioni është shumë më i madh në perceptim sesa në realitet.”

Por, në retorikë ai u shpreh i gatshëm të çojë në "ferr" këdo që përfshihet në afera korruptive, përveç Ballukut.

“Shpesh e ngatërrojnë korrupsionin me persona të këqinj që duhen çuar në ferr dhe të shpëtojmë. Patjetër që ata që kapen duke bërë korrupsion, duhen dënuar. Kjo nuk e çliron një vend nga korrupsioni. Duhet që korrupsioni të mos jetë një shërbim alternativ i suksesshëm”, tha Rama para studentëve.

Belinda Balluku, aktualisht është nën hetim nga SPAK për shkelje të rregullave të barazisë në prokurime publike, lidhur me tenderët e infrastrukturës. Prokuroria e akuzon se ndikoi në mënyrën se si u zhvilluan tenderët, duke krijuar avantazhe të padrejta për kompani të caktuara.

Hetimi filloi me procedurat për tenderin e Tunelit të Llogarasë, një projekt i vlerësuar me qindra miliona euro, ku SPAK dyshon se ka pasur paracaktim të fituesve dhe shkelje të ligjit të prokurimit. Më pas, u zgjerua edhe për tenderët e segmentit të Unazës së Madhe të Tiranës, ku SPAK e ka vënë Ballukun nën hetim për 7 lotet kryesore të prokurimit për këtë projekt.

SPAK kërkoi heqjen e imunitetit parlamentar për të mundësuar arrestimin e saj, pas kërcënimeve dhe intimidimeve që grupe kriminale bënë në emër të Ballukut. Por, Rama dhe mazhoranca e rrëzoi kërkesën duke mbrojtur fort imunitetin e Ballukut.

Megjithëse Rama përdori një retorikë dramatike për korrupsionin, mbrojtja e hapur e Ballukut dhe bllokimi i arrestimit të saj tregojnë se fjalët e forta nuk përkthehen në veprim për zyrtarët e lartë të partisë së tij.

Të fundit