Flash News

KRYESORE

6 orë mbledhje/ Grupi i PD jep 3 propozime, Basha pranon ‘vetësakrifikim’, ‘Rithemelimi’ pro bashkimit me votë

6 orë mbledhje/ Grupi i PD jep 3 propozime, Basha pranon

Grupi parlamentar i PD u mblodh sot në selinë blu në mbi 6 orë diskutime. Pas rezultatit humbës të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, ku PD u rendit si forcë e tretë me asnjë bashki fituese, në selinë blu filluan kërkesat për largimin e Lulzim Bashës.

Pjesa dërrmuese e deputetëve kërkuan që Basha të lërë karrigen e të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit. Duke filluar nga Agron Gjekmarkaj, Tomorr Alizoti, Helidon Bushati, Dhurata Çupi e deri tek Ervin Salianji e Grida Duma, të gjithë kërkonin vetëm një gjë nga Basha: dorëheqjen!!

Surprizë ishte deklarata e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, krahu i djathtë i Bashës, i cili u shpreh hapur se donte që Basha dhe Berisha të tërhiqeshin dhe të hapej një garë e re në PD. Të njëjtën gjë kërkuan edhe dy nënkryetarët, Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku.

Grupi i PD doli sot në mbledhje me tre propozime. Së pari, u propozua që si Basha ashtu edhe ish-kryeministri Sali Berisha të tërhiqen nga partia dhe të krijojnë mundësinë për një garë të re dhe frymë bashkimi mes demokratëve. Së dyti, grupi hodhi idenë e ngritjes së një strukture me në fokus votën e besimit nga të dyja palët, si nga PD zyrtare edhe nga Komisioni i Rithemelimit. Së treti, u propozua organizimi i zgjedhjeve që synojnë bashkimin e palëve.

Pritet që të gjitha propozimet e diskutuara nga grupi të hidhen për shqyrtim me Kolegjin e Kryetarëve, Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar.

Vetë kryedemokrati Lulzim Basha nuk pranoi që deputetët t’i kenë kërkuar dorëheqjen. Ai u shpreh se “nuk u kërkua as kokë turku, as justifikim, por përbashkim”. Basha tha se do të vendosë veten në dispozicion të çdo zgjidhje në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme.

Teksa grupi kërkoi tërheqjen e Bashës, erdhi edhe reagimi nga ‘Rithemelimi’. Komisioni deklaroi se fitorja dhe ringritja nuk arrihet as duke u bërë kukull e vegël e ndokujt, e as me largime.

Të fundit