Flash News

E-TJERA

Në kërkim për vrasjen e Arben Zylyftarit, arrestohet në Gjermani, Genc Tafili

Në kërkim për vrasjen e Arben Zylyftarit, arrestohet në

Genc Tafili, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e kryepolicit të Shkodrës Arben Zylyftari 22 vite më parë, është arrestuar në Frankfurt të Gjermanisë.

Burime nga Interpol bëjnë me dije se Tafili kishte planifikuar të udhëtonte drejt Stambollit ditën e Vitit të Ri kur është arrestuar nga autoritetet policore gjermane. Ndaj tij kishte një urdhër kërkimi ndërkombëtar.

"Falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës, me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, kapet një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar për vrasje. Si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, Gjermani, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në Gjermani, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit Genc Tafilaj, 43 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi në maj të vitit 2021, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur kthimin në burg të këtij shtetasi, për të vuajtur dënimin e mbetur prej 6 vitesh, për vrasje. Shtetasi Genc Tafilaj është dënuar nga Gjykata e Lartë, në vitin 2002, me 25 vjet burgim dhe pasi ka vuajtur një pjesë të dënimit, Gjykata e Rrethit Krujë, në vitin 2017, ka vendosur ta lirojë me kusht.

Më datë 02.08.2000, në Shkodër, shtetasi Genc Tafilaj, në bashkëpunim me babain e tij, ka vrarë me armë zjarri Drejtorin e Drejtorisë së Policisë Shkodër të asaj kohe, Arben Zylyftari.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri, për të kryer pjesën e mbetur të dënimit", thuhet në njoftimin e Interpol.

Genc Tafili u lirua me kusht në vitin 2017 nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, pasi kishte kryer 17 vite burg nga 25 që ishte dënuar në total. Në maj të vitit 2021, Apeli rrëzoi vendimin e gjyqtares Hoxha dhe kërkoi rikthimin e Tafilit në qeli.

Ndaj u vendos një urdhër kërkimi ndërkombëtar.

Kryepolici i Shkodrës, Arben Zylyftari, u vra në vitin 2000 në krye të detyrës gjatë një operacioni që po zhvillohej në liqenin e Shkodrës, për armë kur policia ra në gjurmët e një personi të shumëkërkuar.

Aty kanë hasur në breshëri plumbash, ku personat që kanë qëlluar ishin Bahri Tafili dhe djali i tij Admir Tafili. Për ngjarjen u arrestuan Admiri dhe vëllai i tij Genc Tafili.  

Të fundit