Flash News

E-TJERA

Ndalohet në Ksamil Elvis “Vis Korçari”, tentoi t’i shpëtojë policisë duke përplasur dy automjete

Ndalohet në Ksamil Elvis “Vis Korçari”, tentoi t’i

Elvis Koçi, i njohur ndryshe si Elvis Çaushllari ose me nofkën “Vis Korçari”, është ndaluar mbrëmjen e së shtunës pas një operacioni të koordinuar mes forcave operacionale të Tiranës dhe Policisë së Sarandës.

Burime bëjnë me dije se 34-vjeçari nga Elbasani ishte vënë nën vëzhgim nga efektivët e Tiranës, të cilët arritën ta lokalizonin gjatë ditës në zonën e Ksamilit.

Rreth orës 22:30 u organizua ndërhyrja për kapjen e tij, ku morën pjesë edhe agjentë civilë të sektorit të krimeve në Sarandë. Sipas informacioneve paraprake, në momentin që ka konstatuar praninë e policisë, Koçi ka tentuar t’i shmanget arrestimit duke kryer manovra të rrezikshme me automjetin e tij.

Gjatë përpjekjes për t’u larguar, ai dyshohet se ka përplasur dy mjete civile të policisë, duke arritur fillimisht të çajë rrethimin dhe të largohet nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas kësaj, policia ka nisur një operacion ndjekjeje, ndërsa nga Saranda janë angazhuar edhe forca të FNSH-së për kapjen e tij. Pas rreth 30 minutash kërkimesh, 34-vjeçari është lokalizuar pranë një biznesi privat në aksin rrugor Ksamil–Butrint, ku edhe është vënë në pranga.

Gjatë operacionit është sekuestruar edhe automjeti që ai përdorte, i cili rezulton i regjistruar në emër të vëllait të tij.

Deri tani autoritetet nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar mbi arsyet e ndalimit të Elvis Koçit. Megjithatë, sipas burimeve jozyrtare, ai dyshohet se ishte në kërkim për shkak të një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Të fundit