Flash News

Ditari i Maxhorancës

Quajti shqiptarët e Maqedonisë “idiotë”, ministri Ferit Hoxha i 'revoltuar' me përdhosjen e flamurit izraelit

Quajti shqiptarët e Maqedonisë “idiotë”, ministri

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së mbrëmshme në Tiranë, ku disa persona të maskuar hoqën dhe përdhosën flamurin e Ambasadës së Izraelit.

Përmes një deklarate zyrtare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënoi ngjarjen, duke e cilësuar atë si një akt që bie ndesh me vlerat demokratike, tolerancën dhe traditën shqiptare të respektit ndaj tjetrit.

“Veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes apo të drejtën legjitime për protestë paqësore. Ato përfaqësojnë urrejtje, intolerancë dhe nxitje të përçarjes”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Ndërsa sot Ferit Hoxha flet për respekt, bashkëjetesë dhe refuzim të gjuhës së urrejtjes, kritikët e tij kujtojnë se vetë ministri ka qenë protagonist i deklaratave që u perceptuan si fyese ndaj një pjese të shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë.

Reagimi i Ferit Hoxhës ka rikthyer në vëmendje një tjetër episod që shkaktoi debat të fortë publik disa muaj më parë. Në atë kohë, ministri u gjend në qendër të kritikave pasi përdori një gjuhë të konsideruar fyese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i quajtur ata “idiotë” gjatë një komunikimi publik.

Deklarata u shoqërua me polemika të forta edhe në hapësirën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke detyruar ministrin të zhvillonte takime sqaruese me përfaqësues politikë shqiptarë atje.

Reagim i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë nga protestues të maskuar gjatë protestës së mbrëmshme.
Veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes, të drejtën legjitime për protestë paqësore apo me vlerat tona demokratike dhe standardet evropiane që kemi ndërtuar dhe po forcojmë çdo ditë. Ato janë shfaqje të urrejtjes, intolerancës dhe nxitjes së saj, dhe janë krejtësisht të papajtueshme me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që Shqipëria i ka në themel dhe i çmon me përkushtim.
Ky akt i turpshëm bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin, vlera që kanë karakterizuar shoqërinë tonë për breza me radhë. Ato nuk përfaqësojnë as Shqipërinë, as popullin shqiptar. Përfaqësojnë vetëm ata që kërkojnë të provokojnë, të përçajnë dhe të përhapin urrejtje, duke shpërdoruar dhe keqpërdorur në mënyrë të qëllimshme të drejtat dhe liritë.
Ministria riafirmon angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Ne shprehim solidaritetin tonë me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe theksojmë se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk mund dhe nuk do të kenë vend në një shoqëri demokratike.

 

Të fundit