Flash News

E-TJERA

Ish-ministri i Ramës kundërshton narrativat për protestat: Qytetarë janë të revoltuar, jo të ndikuar nga jashtë

Ish-ministri i Ramës kundërshton narrativat për protestat:
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me protestat e fundit që po zhvillohen në vend, duke hedhur poshtë pretendimet se pjesëmarrësit në to janë të ndikuar nga faktorë të huaj apo nga algoritmet e rrjeteve sociale.

Në mesazhin e tij, Bushati thekson se protestuesit janë qytetarë të pakënaqur dhe të revoltuar, të cilët sipas tij kanë ndërgjegjësim të qartë për pasojat që sjell lidhja mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar.

“Nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre. Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë. Të vetëdijësuar për pasojat e aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar. Janë qytetarë që besojnë se Shqipëria meriton më shumë: më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë shpresë dhe më shumë mundësi për të gjithë.
Çdo ditë që kalon e forcon bindjen se Shqipëria e Re nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm që duhet përqafuar. Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Të fundit