Flash News

E-TJERA

Dosja "Partizani", ish-ministri: Nuk kam folur me Malltezin dhe Berishën për privatizimet apo për sportet

Dosja "Partizani", ish-ministri: Nuk kam folur me Malltezin dhe

Gjykata e Posaçme vijoi të hënën shqyrtimin e dosjes “Partizani”, ku u dëgjuan dëshmitarët e thirrur nga SPAK.

Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për periudhën 2007–2009, Ylli Pango, deklaroi në dëshminë e tij se ngjarjet e trajtuara i përkasin rreth 18 viteve më parë, duke e bërë të vështirë kujtimin e detajeve apo dokumenteve konkrete ligjore.

I pyetur nëse kishte pasur komunikime me Jamarbër Malltezin lidhur me privatizimet, Pango u shpreh se nuk i kujtohej të kishte biseduar me të, as për çështje sportive dhe as për privatizime.

“Nuk kujtoj të kem folur me Malltezin as për sportet as për privatizimet. As me z. Malltezi e as me z. Berisha”, ka thënë Pango.

Pango foli edhe për gjendjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, duke përmendur se në atë periudhë kishte pasur problematika me administrimin dhe përdorimin e territorit.

Ai shtoi se në atë kohë fokusi i tij ka qenë kryesisht te turizmi dhe trashëgimia kulturore, ndërsa çështjet sportive, sipas tij, nuk kanë qenë në vëmendje të drejtpërdrejtë të tij në nivel detajesh administrative.

“Unë nuk do flas me rezerva, por unë do flas sa mbaj mend. Unë kam mbuluat 4 sektorë. Mund të mbaj mend një ligj që kam iniciuar vetë. Thuhet që një pjesë e mirë e Partizanit ka qenë e zaptuar ato kohë. Në një nga mbledhjet e para të qeverisë, u kërkua të ecej me privatizimet. Mua më rezultoi të kisha në varësi, qendrën e derdhjes së monumenteve të kulturës, një qendër të arteve, si edhe kompleksin shumësportësh. Ajo pjesë që duhet të merrej nga ministria duhet të kishte një dokumentacion. Që nga qeverisja Nano është dhënë urdhri që të merrej nën administrim nga Ministria.

Di që edhe pishina aty nuk funksiononte, për shkak se kishte një "pushtim". Ju thashë që kjo është një memorie e ngjizur, nga ç’mbaj mend por edhe dokumente që kam lexuar më vonë, të publikuara në media. Për të marrë në administrim këto objekte nga ministria nuk më kujtohet. Edhe sa i takon faktit nëse ka pasur ose jo aktivitet klubi shumësportësh Partizani, nuk më kujtohet. Nuk e mbaj mend, nëse ka qenë e regjistruar ndonjë shoqatë. Unë nuk kujtoj që po sulmohej, apo përvetësohej ndonjë terren sportiv. Me sportin nuk kam pasur probleme. Më shumë në fokus kam pasur turizmin dhe trashëgiminë kulturore”, ka thënë Pango në dëshmi.

 

Të fundit