Flash News

E-TJERA

Televizioni amerikan: Protestat po kthehen në sfidë të hapur ndaj Ramës

Televizioni amerikan: Protestat po kthehen në sfidë të hapur

Protestat qytetare që po zhvillohen prej ditësh në Shqipëri po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat raportojnë gjerësisht për përmasat dhe mesazhet e tyre politike.

Sipas raportimeve të huaja, lëvizja që nisi si reagim ndaj një projekti të debatueshëm turistik ka evoluar në një revoltë më të gjerë kundër korrupsionit dhe qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Rrjeti televiziv amerikan MS NOW raporton se dhjetëra mijëra qytetarë kanë mbushur sërish rrugët, duke e kthyer protestën në një manifestim të pakënaqësisë publike ndaj mënyrës së qeverisjes në vend.

Sipas këtij mediumi, pjesëmarrësit në protesta e konsiderojnë projektin e diskutueshëm si një simbol të problemeve më të thella që lidhen me korrupsionin dhe menaxhimin e pasurive publike.

“Dhjetëra mijëra njerëz dolën përsëri në rrugë në një lëvizje të nxitur fillimisht nga një projekt i diskutueshëm i një resorti luksoz të lidhur me Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Protestat që atëherë kanë evoluar në një protestë më të gjerë publike kundër korrupsionit dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama,” raporton rrjeti amerikan.

Protestuesit kanë deklaruar për median amerikane se shqetësimet e tyre tashmë shtrihen përtej projektit konkret, duke përfshirë çështje të mbrojtjes së mjedisit, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit.

Ata besojnë se mobilizimi i vazhdueshëm qytetar mund të ushtrojë presion të mjaftueshëm për të sjellë ndryshime politike në vend.

“Demonstruesit i thanë MS NOW se lëvizja e protestës është zgjeruar për të përfshirë shqetësime më të gjera mjedisore; ata e shohin zhvillimin e lidhur me Kushnerin si një shembull tjetër të korrupsionit në një vend të prekur prej kohësh nga akuzat për korrupsion.

Protestuesit tani shpresojnë se presioni i vazhdueshëm do ta detyrojë përfundimisht Ramën të largohet nga detyra. Por kryeministri nuk ka treguar shenja tërheqjeje. Rama e ka mbrojtur projektin, duke argumentuar se ai do të injektojë miliarda dollarë në një nga vendet më të varfra të Evropës, duke krijuar vende pune dhe duke e transformuar vendin në një destinacion kryesor turistik mesdhetar”.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin, duke argumentuar se investimi do të sjellë zhvillim ekonomik, vende të reja pune dhe do të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë në rajonin e Mesdheut.

Të fundit