Flash News

Ditari i Opozitës

SHBA hoqi “non gratën”, Berisha: Mirënjohje administratës Trump, u korrigjua një vendim i padrejtë

SHBA hoqi “non gratën”, Berisha: Mirënjohje

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pasi Departamenti i Shtetit i SHBA-së i hoqi masën e shpalljes “non grata”, duke deklaruar se vendimi i marrë ndaj tij dhe familjarëve ishte i padrejtë dhe tashmë është korrigjuar.

Në një deklaratë publike, Berisha tha se pas një rishqyrtimi të thelluar të çështjes nga Departamenti i Shtetit, ai dhe familja e tij nuk janë më të privuar nga e drejta për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-së ndaj meje dhe familjes sime”, shprehet Berisha.

Ai falënderoi administratën e presidentit Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për atë që e cilësoi si korrigjim të një vendimi të padrejtë. Berisha përsëriti akuzat e tij se shpallja “non grata” ishte rezultat i “lobimit korruptiv” të kryeministrit Edi Rama dhe financierit George Soros.

REAGIMI:

Që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes time, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-së ndaj meje dhe familjes sime.

Me këtë rast, dua të falënderoj administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili ishte i bazuar fund e krye në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros.

Unë falënderoj gjithashtu familjen time, miqtë e mi shqiptar dhe të huaj, bashkëpunëtorët e mi, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të tejet të çmuar, të cilën e dëshmuan ndaj meje në sagen time për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.

Mirënjohje të veçantë dua t'u shpreh sot mbi gjysmë milioni qytetarëve shqiptarë, të cilët, në kushtet tejet të vështira të një autokracie elektorale dhe një narkoregjimi, votuan për mua dhe Partinë Demokratike.

Duke përfunduar, ftoj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të vazhdojmë pa rreshtur përpjekjet tona për rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë.

Të fundit