E-TJERA

“Po shpikni targa dhe autobusë grekë”, Zhupa dhe Balla debat në Kuvend: Je gënjeshtare, shihemi në gjykatë!

“Po shpikni targa dhe autobusë grekë”, Zhupa dhe Balla

Debati për protestat kundër projektit në Zvërnec u zhvendos këtë të enjte në sallën e Kuvendit, ku deputetja demokrate Ina Zhupa dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, shkëmbyen akuza mes tyre.

Zhupa akuzoi PS për dezinformim dhe përpjekje për ta paraqitur protestën qytetare si të nxitur nga qarqe të huaja, ndërsa Balla iu kundërpërgjigj duke e quajtur deputeten e PD-së gënjeshtare dhe duke paralajmëruar përballje në gjykatë.

Gjatë fjalës së saj, Zhupa deklaroi se qeveria po përdor propagandën për të larguar vëmendjen nga shqetësimet reale të qytetarëve lidhur me projektin e planifikuar në Zvërnec.  

““Shikoj një postim në Facebook të Taulant Ballës, i cili ka bërë vetë një poster në greqisht dhe e ka nxjerrë aty sikur është posteri i protestës. Keni prodhuar vetë që në fillim gjëra fake, duke bërë deziformim, për të ngjyrosur me ngjyra nacionaliste një betejë që është vetëm shqiptare dhe e drejtë. Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve. Por në këtë rast ju jeni duke bërë dezinformim. Nxorët 2 deputetë nëpër studio që shpikën autobusa grekë me targa.... Shqiptarët e ngritur për dinjitet, duhet të kuptoni se Shqipëria u takon atyre. Një investim serioz nuk vjen me tela me gjemba, me banditë me uniformë dhe me qytetarë që tërhiqen zvarrë”, deklaroi Zhupa, duke iu referuar incidenteve të ndodhura gjatë protestave të fundit.

Nga ana tjetër, Taulant Balla reagoi ashpër ndaj akuzave të deputetes demokrate, duke mohuar se kishte prodhuar apo manipuluar materiale për të diskredituar protestën. Ai tha se fotografia e publikuar prej tij ishte marrë nga një faqe greke dhe akuzoi Zhupën për shpifje.

“Ti je një gënjeshtare që nuk të skuqet fytyra kur gënjen. Jam gati të përballem me ty edhe në gjykatë”, deklaroi Balla, teksa ironizoi edhe përfshirjen e Partisë Demokratike në protestë, duke thënë se protestuesit nuk kanë nevojë për mbështetjen e PD-së.

 

Të fundit