Flash News

KRYESORE

Si nisi përplasja Lu-Llalla që çoi deri te shpallja ‘non grata’ e ish-kryeprokurorit; deklarata për “pengim të drejtësisë” dhe kundërpërgjigjja me ‘Bankers’

Si nisi përplasja Lu-Llalla që çoi deri te shpallja ‘non

Adriatik Llalla është shpallur ‘non grata’ nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, duke mbyllur në mënyrën më të keqe karrierën e tij. Por kjo lëvizje e Uashingtonit ishte paralajmëruar me kohë nga deklaratat që bëheshin në Tiranë nga ambasadori Donald Lu.

Por kur nisi përplasja Lu-Llalla?

Më 2 shkurt të 2017-s, në konferencën “Pjesëmarrja qytetare e demokracia”, Ambasadori Lu foli për herë të parë publikisht kundër ish-kryeprokurorit Llalla.

“Po shohim tashmë njerëz të fuqishëm që po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj ai ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi”, do shprehej ambasadori amerikan.

Kësaj deklarate, Prokuroria e Përgjithshme iu përgjigj me akuza direkte ndaj ambasadorit Donald Lu, për të cilin tha se ka bërë presion për mbylljen e hetimeve ndaj kompanisë së naftës ‘Bankers Petroleum’.

“Gjithashtu, Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare. Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bere publik edhe ne media, i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”.  Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre.  Për këtë rast, Ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm”, thuhej ndër të tjera në reagimin e Prokurorisë.

Që pas 2 shkurtit të 2017 dhe deri sot, Lu dhe Llalla kanë shkëmbyer akuza dhe replika të ashpra. Së fundmi, Llalla vendosi të refuzojë rikthimin në Gjykatën e Apelit, lëvizje që është interpretuar si shmangie nga procesi i vetting-ut.

Të fundit