Flash News

KRYESORE

Kryeprokurori i Elbasanit sfidon Arta Markun: Nuk largohem nga detyra, vendimi i saj është i pavlefshëm

Kryeprokurori i Elbasanit, Dritan Gina ka refuzuar publikisht të zbatojë urdhrin e Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, për t’u larguar nga detyra. Marku vendosi pak ditë më parë që Gina të largohet nga drejtimi i Prokurorisë së Elbasanit, por sipas tij, ky vendim është i paligjshëm sepse Kryeprokurorja e Përkohshme nuk e ka tagrin për këtë lëvizje.

Prokurori Gina e konsideron këtë vendim të nxitur nga disa qarqe politike, ndërsa tha se Marku nuk ka kërkuar asnjë analizë për punën e kryer në Elbasan.

"Në asnjë pikë të dispozitave kalimtare nuk është parashikuar mundësia që Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm të ndërpresë funksionet e drejtuesit të caktuar përkohësisht dhe për më tepër të komandojë një tjetër drejtues. Nga ana tjetër kam të gjithë të drejtën, bazuar edhe nga informacionet, se kjo lëvizje antiligjore është e nxitur edhe nga qarqe të caktuara politike. Duke qenë jursit si shumë kolegë të mi e kam shumë të qartë se një urdhër haptazi i paligjshëm nuk zbatohet, për këtë arsye, pavarësisht se çfarë ka vendosur Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, unë nuk mund të braktis detyrën bazuar në një urdhër të paligjshëm. Unë refuzoj ta zbatoj atë dhe do të vazhdoj të ushtroj funksionet e mia derisa vendimmarrja të zbatohet në Kushtetutë dhe ligj", u shpreh Gina.

Kryepokurori i Elbasanit kritikoi Policinë e Shtetit, që sipas tij, ka neglizhuar dhe nuk i është përgjigjur kërkesave të organit të akuzës. Dritan Gina foli për disa raste kur policia nuk ka mbledhur provat e nevojshme për ngjarjet nën hetim dhe nuk ka respektuar kërkesat e Prokurorisë për ndëhyrje të caktuara.

Dritan Gina është bashkëshorti i prokurores Rovena Gashi, e cila u shkarkua disa ditë më parë nga kryeprokurorja Arta Marku, ndërkohë që sot e ka depozituar një padi në gjykatë.

Plumbat ndaj policëve te ‘Universi’, kryeprokurori i Elbasanit: Dyshime se persona të pautorizuar kanë akses në kamerat e Qazim Sejdinit. Si reagoi Tirana ku kërkova ndihmë...

Konfirmohen dyshimet, Arta Marku e shkarkoi Rovena Gashin për mandatet e Rakipit dhe Rehovicës (Padia në gjykatë)

Deklarata e plotë:

Në bazë të legjislacionit në fuqi, ky vendim mund të ndryshohet vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili ende nuk është krijuar. Vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm për ndërprerjen e mandatit të Prokurorit të Elbasanit është tërërisht i kundraligjshëm. Në asnjë pikë të dispozitave kalimtare nuk është parashikuar mundësia që Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm të ndërpresë funksionet e drejtuesit të caktuar përkohësisht dhe për më tepër të komandojë një tjetër drejtues. Nga ana tjetër kam të gjithë të drejtën, bazuar edhe nga informacionet, se kjo lëvizje antiligjore është e nxitur edhe nga qarqe të caktuara politike.

Qyteti i Elbasanit, sidomos gjatë vitit të kaluar, është përballur me situata kriminale specifike. Pavarësisht angazhimit të trupës së prokurorëve, këto ngjarje nuk janë zbardhur, por autorët e tyre pavarësisht se njihen nga ana policia e shtetit nuk janë siguruar provat e nevojshme gjatë këqyrjes në vendngjarje dhe hetimeve paraprake, duke u konstatuar shkelje të rënda në gjatë veprimeve hetimore.

Dua të theksoj se kjo situatë nuk është aspak neglizhencë e Policisë së Elbasanit, me të cilën Prokuroria ka marrëdhënie korrekte dhe bashkëpunuese. Ju dhe opinioni publik besoj se kuptoni situatën e verës së kaluar, kur Prokuroria e Elbasanit ishte pranë zgjidhjes së një prej ngjarjeve më të rënda që ka tronditur qytetin, për këtë aryse u kërkua ndihma në terren e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, por kjo ndihmë nuk erdhi asnjëherë me pretendime absurde organizative dhe administrative. Për fat të keq, hetimi dështoi. Por kjo histori nuk përfundoi këtu. Nga ana zyrtarëve të ndryshëm, kryesisht të Ministrisë së Brendshme dhe drejtorisë së Policisë së Shtetit, ka nisur një fushatë kundërshtuese ndaj Prokurorisë së Elbasanit, përfshirë edhe drejtuesin e saj që është sot këtu përpara jush. Në këtë vrazhdë, duke shfrytëzuar në mënyrën më të keqe një prokurore të Prokurorisë së Elbasanit, naivitetin e saj, u sajua një kallëzim i pabazë për humbje dosjesh, gjë e cila është tërësisht e pavërtetë, por u shërbeu organizatorëve dhe nxitësve e pushtet politik, për të denigruar punën e Prokurorisë së Elbasanit. Madje, situata precipitoi deri në atë pikë sa disa punonjës të policisë ushtruan kontroll në zyrat e Prokurorisë me qëllimin e vetëm për të justifikuar procesin denigrues. Gjithsesi, në atë kohë për të mos krijuar incidente ndër institucionale, u lejuan haptazi veprimet antiligjore të policisë, por ju garantoj se situata të tilla nuk do të lejohen më në të ardhmen. Policia e Shtetit nuk do të mundet asnjëherë të ushtrojë presion me prezencën e saj në zyrat e Prokurorisë së shtetit.

Pas një sërë kundërvëniesh të pasuksesshme është gjetur mënyra më e mirë për të demotivuar Prokurorinë e Elbasanit duke urdhëruar lëvizjen antiligjore të drejtuesit të kësaj prokurorie. Ky është sinjal për të gjithë prokurorët dhe jo vetëm për ata të Elbasanit, që kushdo që synon të zhvillojë hetime për grupe apo struktura të caktuara kriminale  mund ta pësojë në vendin e punës dhe në karrierën profesionale.

Pas këtij prezantimi i rikthehem pikës së parë të paligjshmërisë që qëndron në vendimin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Ajo ka vendosur që unë të largohem nga posti i drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit pa asnjë tagër dhe bazë ligjore. Vendimmarrja e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm në rastin tim, por edhe kolegëve të tjerë, nuk bazohet në asnjë analizë pune dhe problematikash. E besoni ju që deri në këtë moment që flasim, Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm nuk ka kërkuar asnjë analizë dhe stafin nuk ka bërë asnjë mbledhje. Pse? Sepse kjo nuk i intereson aspak. Për më tepër, ju si përfaqësues të medias keni raportuar se Prokurori i Përkohshëm ka zhvilluar takime me zyrtarë të ndryshëm shtetëror, ndërkohë që nuk ka zhvilluar asnjë takim me drejtorët dhe drejtuesit e Prokurorive. Duket qartë që Prokurori i Përkohshëm kërkon të njhet me problemet e institucionit që drejton vetëm nëpërmjet kontakteve me zyrtarët politikë. Menjëherë pas këtyre kontakteve politike, Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm ka nxjerrë vendimin për lëvizjen e prokurorëve.

Unë nuk dua të bëj analizën e vendimmarrjes se Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm sepse nuk e kam atë tagër, por si prokuror dhe si jurist e vlerësoj tërësisht të papërshtatshëm që një institucion i pavarur të menaxhohet nga zyrtarë politikë jashtëinstitucional.

Në aspektin personal nuk e kam aspak problem të largohem nga funksioni im si drejtues. Unë jam i nderuar që jam emëruar prokuror në Prokurorinë e Tiranës dhe detyrën e drejtorit të Prokurorisë së Elbasanit e kam vlerësuar si sfidë dhe përgjegjësi. Kam 15 vite aktivitet profesional si prokuror dhe nuk do të lejoj që karriera ime të vendoset nga një vendimmarrje që i takon vetëm Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Duke qenë jursit si shumë kolegë të mi e kam shumë të qartë se një urdhër haptazi i paligjshëm nuk zbatohet, për këtë arsye, pavarësisht se çfarë ka vendosur Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, unë nuk mund të braktis detyrën bazuar në një urdhër të paligjshëm. Unë refuzoj ta zbatoj atë dhe do të vazhdoj të ushtroj funksionet e mia derisa vendimmarrja të zbatohet në Kushtetutë dhe ligj.  

***

Një nga rastet kryesore kur policia nuk bashkëpunoi kur ne kërkuam ndihmën e saj në terren. Kjo ndihmë nuk erdhi asnjë me pretendimin se punonjësi e policisë ishin në plazh, ishin me pushime, dhe për këtë arsye ky hetim dështoi. Gjithashtu problematike të tjera konstatohen edhe në çështje që janë nën hetim. Madje unë mund t’ju them se rasti më i fundit është rasti i ngjarjes që ka ndodhur tek hotel ‘Univers’, unë kam kërkuar ndihmë nga Prokuroria e Përgjithshme, nga shefi i IT-së pranë kësaj Prokurorie, për të kryer veprime pranë serverave të bashkisë pasi ka dyshime se persona të paautorizuar mund të kenë akses në këto servera. Kjo lëvizje vjen menjëherë pas kësaj kërkese që unë kam bërë në Prokurorinë e Përgjithshme.

Flitet ndërprerja e komandimit. Edhe njëherë, Prokurori i Përgjithshëm dhe i gjithë stafi këshillues pranë saj duhet ta kenë të qartë se nuk ka komandim, unë nuk jam i komanduar. Komandim sipas ligjit të magjistratit, prokurorit dhe gjyqtarit, është caktimi nga pozicioni i magjistratit në një pozicion jo magjistrati. Pra, nëse unë caktohem këshilltar i Prokurorit të Përgjithshëm atëherë quhet komandim, unë jam i caktuar i përkohshëm dhe për të caktuarit përkohësisht Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm nuk ka asnjë tagër ligjor për të bërë të mundur lëvizjen e tyre nga detyra.

Unë me keqardhje jam këtu sepse Prokurori i Përgjithëm nuk ka bërë një analizë me prokurorët e rretheve ku qëndrojnë problematikat e Prokurorisë. Unë si prokuror nëse dua të di ku qëndrojnë problemet e prokurorisë atëherë do të konsultohem me stafin tim dhe jo me stafin e Ministrisë së Brendshme apo në rastin konkret me ministrin Xhafaj të cilin e ka pritur (më takim).

E dini ju sa e vështirë është sot të kryen hetime. E dini ju që ne nuk kemi akses as në regjistrat tatimor, as në dogana, për një hetim të thjeshtë. Ju keni parasysh se si u dekonspirua hetimi për një sërë subjektesh këtu në Elbasan, kur drejtoria e Tatimeve bëri publike listën e subjekteve që ne kishim kërkuar, pse, sepse Prokuroria nuk ka akses në serverat e drejtorisë së Tatimeve për të marrë qoftë librat e shitjeve dhe blerjeve për një subjekt. Për një targë makine ne nuk kemi akses.

Unë nuk mund të bëj kallëzim kur nuk kam aktin procedurial. Në momentin kur do të marrë vendimin do të bëj kallëzim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Nëse Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm kërkon të bëhet Prokuror i Përgjithshëm i Përhershëm nuk mund të bëhet duke bërë qoka personale, por këtë mund ta arrijë nëpërmjet cv-së së saj dhe duke kandiduar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, këshill të cilit i bindem edhe unë tërësisht.

Të fundit