Flash News

KRYESORE

Konfirmohen dyshimet, Arta Marku e shkarkoi Rovena Gashin për mandatet e Rakipit dhe Rehovicës (Padia në gjykatë)

Zbardhja e padisë së prokurores Rovena Gashit ndaj kryeprokurores Arta Marku, në Gjykatën Administrative, ka konfirmuar dyshimet se vendimi për shkarkimin e ish-drejtueses së Njësisë së Dekriminalizmit lidhej me vendimin për t’i hequr mandatet dy ish-deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica.

Politiko.al ka shkruajtur për këtë çështje më 29 dhjetor, ditën kur Gashi u shkarkua nga Marku, ndërkohë që në padi prokurorja sqaron se kjo ka qenë aryseja që i është dhënë nga kryeprokurorja pas vendimit të shkarkimit.

“Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, në zyrën e saj, në prani të dy prokurorëve të tjerë në Prokurorinë e Përgjithshme me funksione drejtuese, dhe konkretisht Adnan Xholi, Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore dhe Thoma Jano, Drejtor i Drejtorisë së Përgjimeve, i ka deklaruar paditeses Rovena Gashi se; «Dërgimi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, të vendimeve të Sektorit të Dekriminalizimit, në lidhje me rezultatat e verifikimit për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica, pa u konsultuar paraprakisht me të dhe pa firmën e saj, përbën shkelje ligjore dhe etike. Për këtë qëllim, lirohesh nga detyra e Drejtorit të kësaj Drejtorie”, thuhet në padinë e Rovena Gashit.

Sipas Gashit, vendimi i Markut është administrativisht i pavlefshëm pasi kryeprokurorja e përkohshme nuk ka kompetenca për të shkarkuar drejtuesit.

Padia e Rovena Gashit:

Së pari, urdhëri i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme nuk bazohet në asnjë dispozitë ligjore. Arta Marku, në pozicionin e saj, ushtron funksionet në bazë të dispozitave kalimtare, të parashikuara në nenin 160 të ligjit « Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ».

Në asnjë prej dispozitave kalimtare, nuk parashikohet mundësia e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm për përcaktimin, miratimin apo ndryshimin e strukturës së institucionit ;

Së dyti, edhe nëse do të kishte kompetencë për ndryshimin e strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme, kryeprokurorja e përkohshme nuk ka miratuar asnjë urdhër për ndryshime në organikë.

Pra, Rovena Gashi është shkarkuar me argumentimin e ndryshimit të strukturës, ndërkohë që, të paktën deri në dorëzimin e padisë, kryeprokurorja e përkohshme nuk ka firmosur asnjë urdhër për ndryshimin e strukturës.

Së treti, ligjvënësi ka parashikuar një mbrojtje të posaçme për prokurorët në detyrë gjatë kohës së ushtrimit të funksioneve të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Ligji 97/2016 « Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë », për të shmangur veprime abuzuese nga kryeprokurori i përkohshëm, në nenin 110 të tij i ka dhënë mbrojtjen maksimale që garantohet nga Ligji Nr.96/2016 «Për Statusin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë», pikërisht për të garantuar parimin kushtetues të pavarësisë së prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

Në këtë kuader, përtej kapërcimit abuziv të kompetencave prej Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, kjo e fundit nuk ka të drejtë të bëjë shkarkime të Prokurorëve nga detyrat që ata mbajnë në kohën e hyrjes në fuqi të këtyre ligjeve.

Së katërti, urdhëri i Prokurorës së Përgjithshme të Përkohshme për shkarkimin e prokurores Gashi nga detyra e drejtorit është i paarsyetuar.

Mungesa e arsyetimit të këtij akti individual lirimi, i cili sjell pasoja të drejtëpërdrejta për paditësen, e bën këtë akt administrativ absolutisht të pavlefshëm, kjo referuar dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, në zyrën e saj, në prani të dy prokurorëve të tjerë në Prokurorinë e Përgjithshme me funksione drejtuese, dhe konkretisht Adnan Xholi, Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore dhe Thoma Jano, Drejtor i Drejtorisë së Përgjimeve, i ka deklaruar paditeses Rovena Gashi se; «Dërgimi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, të vendimeve të Sektorit të Dekriminalizimit, në lidhje me rezultatat e verifikimit për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica, pa u konsultuar paraprakisht me të dhe pa firmën e saj, përbën shkelje ligjore dhe etike. Për këtë qëllim, lirohesh nga detyra e Drejtorit të kësaj Drejtorie».

Pra, përtej argumentit zyrtar të riorganizimit, lëvizja e prokurores Gashi lidhet drejtëpërdrejtë me vendimmarrjen e saj për deputetët Rakipi dhe Rehovica.

Në fakt, ajo ka vepruar në përputhje me urdhërat e Prokurorit të Përgjithshëm, ende në fuqi, të cilët e autorizonin atë si shefe e sektorit të Dekriminalizimit për të zhvilluar komunikimin zyrtar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, nisur edhe nga vendimmarrja e KQZ-së, e cila pranoi kërkesat e dërguara nga Rovena Gashi dhe u ndërpreu mandatin dy deputetëve, rezulton e konfirmuar se veprimtaria e saj ka qenë tërësisht në përputhje me ligjin.

Të fundit