OPINEWS

Flotilja e radhës dhe broçkullat e mangësitë shoqëruese

Flotilja e radhës dhe broçkullat e mangësitë

Nga Genc Pollo

Flotilja që lundroi së fundmi nga Turqia për në Gaza u bë lajm në mediat toma mbasi në të mori pjesë edhe shtetasi shqiptar BG. Kjo ishte e gjashta flotilje e nisur në 12 muajt e fundit nën slloganin “të ndihmojmë gazalinjtë” me afro 500 pjesëmarrës turq, arabë, e të tjerë nga Europa dhe bota.

Në të gjitha rastet flotilistët refuzuan apelet e qeverive të tyre që ndihmat t’u a dorëzonin Caritasit, Kryqit të Kuq apo ndonjë tjetër organizate humanitare dhe të evitonin lundrimin e rrezikshëm dhe konfrontimin me marinën luftarake izraelite e cila nuk lejon hyrjen e “misioneve” të tilla në ujrat territoriale.

Për më tepër që nga armëpushimi i tetorit 2025 dhe masave të Bordit të Paqes nuk ka kufizim për hyrjen e ndihmave në Gaza, dhjetëra agjenci humanitare e private kryejnë përdite furnizime masive dhe i vetmi problem është Hamasi terrorist që zapton mallrat dhe arkëton me dhunë 10-15% të vlerës së shitjes. Gjithashtu me Bordin e e Paqes që nga vjet kemi një marrëveshje politike dhe një strukturë institucionale të udhëhequr nga ShBA e që përfshin Izraelin, palestinezët, shtetet arabe e deri tek Turqia si dhe Europën. E vetmja pengesë për zbatimin e marrëveshjes aktualisht vjen nga Hamasi terrorist që po del nga fjala e po vonon apo po refuzon çarmatimin.

Asgjë nga sa më lart nuk i hyn në sy flotilistëve ku gjen të dyshuar për lidhje me Hamasin, aktivistë fanatikë, personazhe që kërkojnë vëmendje dhe plot idiotë të dobishëm; konflikti i stisur me Izraelin i përdorur më pas për propagandë delegjitimuese është qaratazi synimi i organizatorëve të flotiljeve.

Për inerci flotilistët e deportuar nga Izraeli në Spanjë e në Greqi provokuan policinë e aeorportit duke shkaktuar dhunë e katrahurë.

Të imagjinojmë për një sekondë se u riaktivizua konflikti i vjetër mes ushtrisë turke dhe separatistëve kurdë (PKK) që në të shkuarën solli dhjetëra mijë civilë të vrarë; në këtë skenar të padëshëruar p.sh. rreth qytetit-port me popullsi kurde Mersin, Turqia vendos gjëndjen e jashtëzakonshme dhe pastaj flotilistë pro-kurdë, anti-turq etj. nisen me anije gjoja për të derguar ushqime në Mersin por në fakt për tu konfrontuar mediatikisht me flotën turke. A nuk do ti ndalonte Turqia ata në det të hapur? Me siguri po! A do të kishim të njëjtim reagim në botë në këtë situatë të ngjashme? Nuk e di.

Kësaj radhe një skenë e shëmtuar u vërejt në Izrael ku politikani ekstremist Ben-Gvir u shfaq në mes të flotilistëve të arrestuar në skena poshtëruese. Ai njihet për gjuhën e urrejtjes ndaj arabëve muslimanë e të krishterë por edhe ndaj kundërshtarëve politikë hebrenj; sjellja e tij u dënua nga qeveria izraelite.

Ashtu si shumë qeveri europiane edhe Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë apeluan për trajtim të kujdeshëm, dinjitoz dhe për lirim të flotilistëve të arrestuar. Madje MPJ disa ditë rresht bëri thirrje për kujdes ndaj e lirim të BG në një mase shproporcionale me raste të ngjashme më herët. Madje institucione të tjera pa kompetencë ligjore jashtë vendit ju bashkuan korit “Shpëtoni flotilistin BG!”.
Ka një dallim në dukje të vogël por realisht domethënës: po të marrim shembullin e qeverisë së Francës, e cila dihet se është më afër palestinezëve se Izraelit, vërejmë një qortim publik për flotiljet si nismë problematike e me rreziqe si dhe thirrje publike e private flotilistëve francezë që të mos merrnin pjesë në këto nisma me pasoja serioze.

Asgjë të tillë nuk pamë e dëgjuam nga MPJ e Tiranës. Dhënia e shërbimeve konsullore është detyrë e shtetit ndaj qytetarëve shqiptarë si për veprime administrative ashtu edhe për të pandehur për vepra penale. Por parandalimi i problemeve është shumë më i mirë e më i dobishëm se trajtimi i tyre. Një dekadë më parë qeveria e injoroi ikjen e një kategorie burrash shqiptarë, në shumë raste me familjet e tyre, për të luftuar në radhët e shtetit islamik DAESh në Siri. Mbasi dëmi ishte bërë qeveria u kujtua të ndryshonte Kodin Penal me dënime përkatëse.

Ndërkohë dhjetra vullnetarë shqiptarë të DAESHit u vranë nga bombat e amerikanëve dhe plumbat e kurdëve ndërsa familjet e tyre dergjen në kampe përqëndrimi si Al Hol. Prandaj lipset të nënvizojmë se në këto raste profilaksia është e preferueshme ndaj ilaçit. Sidomos kur ilaçi merr formën e solidaritetit miop e të pseudopatriotizmit.

Të fundit