Flash News

KRYESORE

Negociatat me BE/ Holanda si Greqia, kërkon sovranitetin e Shqipërisë për të mos vendosur veton; zbardhet kushti për Ramën

Negociatat me BE/ Holanda si Greqia, kërkon sovranitetin e
Politiko.al shkruajti më 30 janar për gjashtë shtete që mund të vendosin veton për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe kjo lidhet kryesisht me dështimin e qeverisë tonë për të përmbushur kushtet e përcaktuara nga Brukseli. Me afrimin e datës kur Komisioni Europian do të publikojë vendimin për Shqipërinë, këto gjashtë shtete, Danimarka, Holanda, Belgjika, Gjermania, Franca dhe Spanja po bëjnë gjithnjë e më shpesh publike qëndrimet e tyre. Kopenhageni i ka hapur tashmë rrugën Tiranës dhe ka njoftuar se nuk do të vendosë veton për negociatat, ndërkohë që shtetet e tjera mesa duket kanë kërkesa të tjera dhe jo shumë të ndershme ndaj vendit tonë, duke përfituar nga dështimi i qeverisë në luftën e korrupsionit, krimit dhe emigracionit. Diplomati Shaban Murati deklaron se Holanda, që është edhe shteti që kundërshton më shumë procesin integrues të Shqipërisë, i ka vendosur qeverisë së kryeministrit Edi Rama një kusht që cënon direkt sovranitetin e vendit. Murati shkruan në ‘Gazetën Shqiptare’ se Holanda ka njoftuar qeverinë shqiptare se do t’ia japë votën për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE-në, vetëm nëse Shqipëria i akordon asaj pjesëmarrjen e një kompanie holandeze të gazit në procesin e menaxhimit të segmentit shqiptar të gazsjellësit TAP dhe në ndërtimin e rrjetit të gazifikimit të vendit. Sipas burimeve të diplomatit, lëvizja holandeze duhet të ketë ardhur pas efikasitetit të së njëjtës lëvizje kushti, që bëri Greqia me Shqipërinë. “Hapi holandez, që imiton metodën e njohur greke të 25 viteve të postkomunizmit në raportet me Shqipërinë, për të vendosur kushtin e vetos në fazat e integrimit europian të Shqipërisë, ilustron pozitën e Shqipërisë me pozitën e lepurit të fabulës, i detyruar nga rreziku i jetës të futet në ferrë me breshkën, e cila keqpërdoron pozitën e tij dhe lepuri i thotë breshkës fjalinë proverbiale “vazhdo breshkë, se të ka ardhur dita. Në planin diplomatik dhe strategjik, kjo situatë breshke para të cilës ndodhet Shqipëria, me rastin holandez dhe sidomos me flagrancën e hapit grek, ngre siparin e një debati të madh, që duhet të zhvillohet në qarqet zyrtare dhe jo zyrtare, politike, diplomatike, ushtarake, akademike, të sigurisë, ekonomisë etj., lidhur me rendin e prioriteteve, që duhet të ndjekë sot Shqipëria midis sovranitetit dhe integrimit europian”, shkruan Murati. Më 25 janar, kryeministri Edi Rama u takua në Davos me homologun holandez, Mark Rutte, por Kryeministria dhe Ministria e Jashtme nuk dhanë detaje për diskutimet midis palëve, duke zgjedhur metodën e përdorur në bisedimet me Athinën, heshtjen dhe sekretin. Në analizën e tij, Shaban Murati kërkon që Shqipëria të mos cënojë sovranitetin e saj për integrimin në Bashkimin Europian, pasi sovraniteti duhet të jetë mijëravjeçar, ndërsa përgjatë historisë territori i shqiptarëve në historinë e tij ka kaluar përmes disa lloj integrimesh, si integrimi romak, integrimi bizantin, integrimi osman, integrimi serb, integrimi grek, integrimi jugosllav, integrimi sovjetik, integrimi kinez.

Të fundit