Kapelja e Enver Hoxhës në kokën e Edi Ramës - Politiko.al

Kapelja e Enver Hoxhës në kokën e Edi Ramës

Kapelja e Enver Hoxhës në kokën e Edi Ramës

Naum Mara

Eshtë vërtet për t’u shqetësuar, se na varet nga një zhele Diktature në supe edhe neve, që e kemi jetuar atë kohë, por edhe të rinjve, që janë lindur pas viteve ’80 dhe nuk kanë asnjë lidhje me atë kohë të errët.

Sondazhi që dëshmonte se më se 50% e popullsisë janë nostalgjikë për Enver Hoxhën dhe kohën e tij; mbivlerësimet rreth Mehmet Shehut nga Alfred Moisiu, Zabit Brokaj dhe Fatos Klosi; ceremonitë pompoze të përvjetorëve të ndodhive me pak vlerë të Luftës së Dytë; debati ndaj filmave të realizmit socialist; të gjitha dëshmojnë se ajo kohë po “idealizohet” jo vetëm nga komunistët e Xhafës dhe Nexhmija, por edhe nga shumë udhëheqës të partive të majta shqiptare.

Qysh prej ardhjes në fuqi të ‘rilindasve’ të PS-së në aleancë me LSI-në e Metës, tonet ndaj Diktaturës, përfaqësuesve dhe dukurive të saj, jo vetëm u ulën, por filluan edhe të marrin ngjyrime rozë.

Rama, edhe pse në retorikën e tij nuk shprehet hapur në favor të Enver Hoxhës, duke grumbulluar rreth vetes bij ose familjarë të zyrtarëve të lartë të asaj kohe, dëshmon se marrëdhënia e tij psikologjike me Hoxhën ka qënë ajo e urrejtje-admirimit.

(Në një darkë private në fillimin e viteve 2000, kryetari ekzibicionist i atëhershëm i Bashkisë, i paantarësuar ende në PS, mbajti për orë tëra në kokë, një kapele të Enver Hoxhës, të gjetur në vilën e Diktatorit).

Presidenti Meta e fsheh më pak adhurimin për komunistët dhe partizanët “legjendarë”, kur merr pjesë në përvjetore me shami të kuqe qafës ndërsa krah tij “të gjorët” veteranë me pensione, që nuk nxjerrin dot muajin, mbajnë portretin e Komandantit.

Zell për të propaganduar dhe përkujtuar vetëm figura të së majtës, po tregon hapur Erion Veliaj dhe të tjerë bashkiakë rilindas. Vjet u larguan nga jeta dy pena të rëndësishme të letërsisë shqiptare : Dritëro Agolli dhe Kasëm Trebeshina. Ndërsa funerali i poetit Agolli ishte, me të drejtë, madhështor, prozatori dhe dramaturgu Trebeshina u përcoll në heshtje të plotë.

Nëse politikanët kanë motivet e tyre për të manipuluar mendjet e njerëzve, apo për të marrë votat e nostalgjikëve të shumtë, mediat, sidomos ato pranë ‘rilindasve’, po bëjnë edhe më shumë se ata, duke hedhur në shtyp intervista bajate, dizinformime rreth kohës së Diktaturës, shkrime të pafundme rreth vrasjes apo vetvrasjes së Mehmet Shehut dhe deri në lajme me hollësi banale të VIP-ave të asaj kohe.

Cilit shqiptar i bën dobi t’i kujtosh se mbushi 97 vjet Nexhmije Hoxha? Përbën lajm?

Kujt i shërbejnë intervistat e Vito Kapos, kur nuk pyeten njëherë të vetme nëse ndjehen fajtorë për tragjedinë e popullit shqiptar.

Diktatura shqiptare, jo vetëm ishte më e egra në Europë, por edhe pas rënies, përfaqësuesit e saj janë të vetmit në Europë, që kurrë nuk i kërkuan falje publike këtij populli.

Gazetarët dhe botuesit, në vend t’i mëshojnë çdo ditë idesë së “Kohës së Lirisë“, si luftëtarë të fjalës së lirë, ekonomisë së lirë, lirisë së ndërgjegjes, mbushin faqet e gazetave dhe të portaleve me shkrime që denatyrojnë fytyrën e vërtetë mizore të asaj kohe dhe Udhëheqësit të saj.

Eshtë edhe kjo një arsye më shumë, që njerëzit nga shtresat e përndjekura po largohen më shumë se të tjerët nga Shqipëria.

Në një shkrim të vajzës së Dritëro Agollit, më ra në sy një vargëzim i poetit (që ajo e quante poezi) i titulluar “Koha e Mirit të Xhikes”. Në vargjet thuhej: “Jetova në kohën e Mirit të Xhikes/ Në vitet me dert pleqërie/ Këtu në pallatin e Rrugës së Dibrës/ Me gruan e dashur Sadije./ Jetova në kohën e Mirit të Xhikes/ Dhe çuditërisht i tërbuar bëj zhurrmë/ Më gërryen lakmia dhe ankthi i frikës/ Se jam infektuar dhe unë…”

Sigurisht, që poeti mund të ketë ndjenja të momentit të cilat i hedh në vargje, se nuk besoj se për Agollin, periudha e tranzicionit ishte vërtet “koha e Mirit të Xhikes”. Nëse është e tillë, atëherë vërtetë duhet të kemi mall për kohën e Enver Hoxhës.

Periudha e tranzicionit shqiptar është mbi të gjitha periudhë lirie dhe me gjithë “plagët“ e mëdha të saj nuk ka të krahasuar me periudhën e Diktaturës.

Fatkeqësisht, leckave të Diktaturës, që na kanë mbetur ende në supe, se nuk mund të shlyhen lehtë dëmet e saj në mendjet dhe ndërgjegjet tona, politikanët dhe mediat, ju shtojnë edhe dizinformimin për atë kohë duke hedhur zhele edhe në supet dhe kokat e të rinjve.

Ramës i pëlqente “kapelja republike verore” e Hoxhës, sepse ëndërronte në mos të bëhej një Diktator, por një udhëheqës autokrat.

Rinia e këtij vendi nuk meriton as shalle të kuq rreth qafës dhe aq më pak kapelet e Hoxhës.

 

 

COMMENTS

error: Content is protected !!