Cilin ministër do 'të lëshojë' Edi Rama? - Politiko.al

Cilin ministër do ‘të lëshojë’ Edi Rama?

Cilin ministër do ‘të lëshojë’ Edi Rama?

Alfred Lela

Loja politike me Reformën në Drejtësi ka hyrë në fazën e parafundit. Fundi, si të gjitha fundet, do të jetë ose armëpushim, siç ka ndodhur shpesh në politikën shqiptare, ose një Vaterlo që do të ketë Napoleonin dhe Wellingtonin e saj.

Duket sikur mazhoranca kalëron një koçi të sigurisë, dhe prej andej lëshon shigjeta mbi këmbësorët që në këtë rast janë opozitarët. E gjitha është vetëm dukje. Mjafton pak, që pas perdes së sigurisë të shohësh pasigurinë, e cila pasqyrohet edhe te përpjekja për të ndërtuar kredite të pafajshmërisë dhe pastërtisë nëpërmjet personazheve dhe rasteve episodike.

Dy të tilla kanë ndodhur vetëm gjatë ditëve të fundit.

Tërheqja nga politika aktive e Eduard Halimit, një deputeti të Partisë Demokratike, dhe ish-ministri të Drejtësisë, u ndesh me dyshimet e shtypit pro qeveritar për frikë nga Reforma në Drejtësi. Halimi e qartësoi për Politiko.al variantin e bërë publik nga kryetari i PD, por edhe nga miq të tij para se gjithçka të konfirmohej nga i zoti i punës.

Njëlloj kundrathënës është edhe rasti i Izet Haxhisë. Dëshmitë e tij nuk bartin as misterin e kureshtjes, për faktin e thjeshtë të përsëritjes së shumëfishtë. Megjithatë, emri dhe historia e tij u riciklua me shpejtësi centrifugale nga të njëjtët zelltarë të parapolitikës. Si një goditje e mundshme për ish-pushtetin nga pushteti.

Pse ka diçka kundërthënëse në të dy rastet më lart të përmendura? Për faktin e thjeshtë se në to lexohet stërmundimi për të profilizuar si të korruptuar dhe të kërcënuar nga Reforma në Drejtësi vetëm një palë politike. E cila, për shkak të rotacionit politik të herës, qëllon që të jetë opozita. Kjo ‘kërcet’ edhe më shumë në prani të faktit se shumica nuk qeveris prej 5 muajsh, por prej 5 vjetësh. Thënë shkurt, opozita dhe qeveria janë njëlloj të vjetra në raport me pushtetin dhe, as fizikisht nuk mund  të dallojnë.

Duke qenë se ky fakt është i pashmangshëm dhe kokëfortë, përplasja zhvillohet një nivel më lart; atë të retorikës, propagandës dhe mbjelljes së frikës me anë të tyre. Përpjekjes për të luajtur me perceptimet më shumë se me faktet.

Një disniveli në këtë rast i ndihmon edhe fakti se dy drejtorë Rrugësh janë arrestuar dhe një ministër është thirrur si dëshmitar. Të tre i përkasin dy forcave opozitare. Sa kohë janë gatitur dosjet e tyre, shumica ka bërë çmos, juridikisht dhe politikisht, për të amnistuar një dosje me fakte të neveritshme kompromentimi ku përfshihet një deputet dhe ish-ministër i saj për katër vjet.

Dy ministra të tjerë, gjithaq të afërt me Ramën sa edhe Tahiri, dyshohen si të kapur në përgjimet e Prokurorisë së Elbasanit ndaj një eksponenti të botës së krimit. Opozita ka kërkuar Komision hetimor për Tahirin dhe interpelancë për inceneratorët e mbetjeve me ministrin Damian Gjiknuri. Përfaqësuesit ndërkombëtarë, edhe pse jo publikisht, ushtrojnë trysnitë e tyre.

Edi Rama, do s’do, ndodhet në një moment të mundshëm prej të majti (egalitariani). Ai duhet të barabitet diku me opinionin publik dhe me opozitën. I duhet të lëshojë pe nga një fije e trashur, e bërë tashmë litar në hidh-e-pritjet e akuzave dhe dyshimeve për ministrat dhe drejtorët e tij.

Reforma nuk mund të jetë e drejtë dhe as Drejtësia e Reformuar, nëse nuk është edhe egalitare. Vetëm në qoftë se Kryeministri i druhet një tjetër lloji barazie me të vetët: egalitares në krim. Dhe, për veten nuk kërkohet ndëshkim.

Kë do të lëshojë Edi Rama, nëse nuk i duhet të lëshojë veten?

COMMENTS

error: Content is protected !!