Si shfaqet Sali Berisha në librin e Alfred Lelës - Politiko.al

Si shfaqet Sali Berisha në librin e Alfred Lelës

Si shfaqet Sali Berisha në librin e Alfred Lelës

Agron Gjekmarkaj

Unë e kam lexuar qysh në boca librin e Alfred Lelës, dhe mund të pohoj, duke pranuar limitet e njohjes personale, se “Ut heri dicebamus” është teksti më i mirë i shkruar nga një shqiptar mbi teoritë e komunikimit politik, të përdorura si stetoskop mbi shpinën dhe barkun e politikës shqiptare të fillimeve; kur diktatura shënonte fundin dhe liria fillimin, teksa mendësia e vjetër çoroditej duke hedhur mbi të renë vezoret e saj.

Në raport me Sali Berishën është i pari libër profesional, si metodologji dhe cilësi shkrimi. Në të mungon zelli i servilizmit dhe shërbestarisë së llogaritur; po ashtu gjuha e tharë e patetikës ideologjike e fermentuar nga urrejtja.

E sheh atë në distancë, pa interes, por me respekt, pa anësinë e së mirës apo të keqes, por me racionalitetin e konstatimit! Alfred Lela ka krijuar modelin se si mund të lexohet një burrë shteti shqiptar i bashkohësisë.

Këtë shërbim është nisur t’ja bëjë shoqërisë, anipse i shërbyer del edhe Sali Berisha. Dhe, në fakt, pas leximit, personazhi objekt studimi për ligjërimin e tij të viteve ’90 -’92, mirëkuptohet më tepër, paditet më shumë, fshihet më pak. Një kapërcyell historik nga më të rëndësishmit e kombit tonë, shefi i opozitës në ditët e para të saj shfaqet më shumë si prijës sesa politikan dhe, sa më tepër i përshtatet politikës dhe ligjësive të saj gjithaq humbet gravitetin e Prijësit për petkun e politikanit.

Por, Sali Berisha ka synuar pushtetin, jo vetëm lëvizjen përmbysëse, dhe për atë ka ndërtuar ligjërimin që ia mundëson atë, një ligjërim që ndan duke tentuar shumicën elektorale me strukturimin e diskurseve. Lela na e rrëfen këtë metamorfozë ditë pas dite. Me një metodologji e cila mbledh disa nga figurat kryesore të komunikimit politik, por edhe të studiuesve të ideologjisë, të shekullit 20, ai vërteton e ndërton saktësisht, atë që Besnik Mustafaj ka parë nga afër, pothuaj prekur me dorë, e shprehur në parathënie, që “Sali Berisha ndihej shpirtërisht dhe me arsye i djathtë, jo deomos si rrjedhim i formimit kulturor dhe ideologjik gradual, por si rrjedhim i qëllimit që i kishte vënë vetes dhe misionit të madh që kishte marrë përsipër, në përgjigje të nevojës urgjente që kishte shoqëria shqiptare dhe kombi për çmontimin e sistemit stalinist, sistem ky që përfaqësohej nga e majta, e strehuar ende te Partia e Punës më pas Partia Socialiste”.
Alfred Lela mendon, shkruan dhe flet në mënyrë cilësore, fakt ky i konsakruar nga viti në vit nga aula në aulë dhe, me këtë libër ai nuk po kërkon të testohet si autor, por me gjasë po kërkon të testojë komentatorët dhe sociologët e politikës në janë të gatshëm të modernizojnë këndvështrimet duke ulur pehashin e foklorit apo të njëanshmërisë, duke rritur forcën e logjikës dhe gamën e kulturës komparative.
Lela nuk merr përsipër ta analizojë Sali Berishën në raport me sukseset apo premtimet. Aspak.

Por, po kaq këmbëngultazi e shoqëron hap pas hapi, me laps në dorë, aty ky simptomat e arketipit gjuhësor të së kaluarës e nxjerrin si të majtë, apo konstrukti i brendshëm dhe domosdoshmëria e së tashmes (’90-’92), e çon drejt diskurit të djathtë, për të kulmuar me fjalimin brilant të ditës kur ai betohej si President.

Në atë fjalim shënohet demontimi përfundimtar i formulës ‘klasë punëtore; fshatarësi; dhe inteligjencë’ në favor të së fundit. Në fakt, tekste këso dore, sa historisë po aq i flasin aktualitetit, dhe në këtë ekuilibër qëndron veçantësia e tyre, dobia dhe vëmendja.

Në këtë kontekst, mund të thuhet se e djathta në Shqipëri ngjall shpresë dhe bëhet fituese, kur e udhëheq elita, kur kjo elitë krijon kauza, kur këto kauza shndërrohen në program dhe ky program përmbush vullnetin shoqërisë për liri dhe mirëqenie.

Sali Berisha i asaj kohe e ushqeu këtë iluzion të vjetër të shoqërive. Deri diku e përmbushi. Alfred Lela tenton ta tërheqë drejt historisë vetëm me dy vitet e tij të para, paçka se, me nderim studiuesi dhe pa emfazë militanti a hallexhiu që kërkon diçka në këmbim. Por, Sali Berisha përpiqet ende të mos joshet nga streha e re, edhe pse tundimet i shfaq herë pas here në forma të ndryshme. Lela i ka hapur derën dy kanatësh duke e vënë në krye të odës së burrave të djathtë të këtij vendi. Mënyrën dhe kohën e zgjedh vetë; me vrik a dalngadalë, me sokëllimë a në majë të gishtave në muzg…

Askush nuk vë dot bast se Berisha di të befasojë, duke lënë pas, për dikë nostalgjinë, për të tjerë mungesën, për disa të pazëvendësueshmin, për kundërshtarët ‘armikun e madh’ për të djathtët berishizmin, për pasardhësit neoberishizmin.

 Të cilit Alfred Lela i ka zbuluar rrënjët. Si një bujk i palodhur që e njeh mirë arën e tij.

*Fjala e studiuesit mbajtur në promoviminin e librit ‘Ut heri dicebamus-Fjalori politik i Berishës ’90-’92’

COMMENTS

error: Content is protected !!